71-vjeçari Pëllumb Lamçe i akuzuar për ngacmim seksual të një 9-vjeçareje jeton i vetëm në fshatin Sheqeras, pasi pjesën tjetër të familjes e ka prej vitesh në emigracion.
Në Sheqeras jeton edhe 9-vjeçarja së bashku me familjen dhe vëllain 4 vjeçar. Familja e 9-vjeçares jeton në kushte shumë të vështira ekonomike dhe të ardhurat e vetme janë përkrahja sociale që jep shteti.
Babai i 9-vjeçares nuk ka pranuar të flasë për mediat, por të vetmen fjalë që tha ishte se gjithçka e ka lënë në dorë të policisë dhe prokurorisë.
Familja e 9-vjeçares jeton shumë pranë shkollës të fshatit Sheqeras dhe si çdo ditë edhe një ditë më parë, vajza ka qenë duke luajtur në këndin e lojërave të shkollës kur është përballur me 71-vjeçarin që për banorët e Sheqerasit ka probleme të shëndetit mendor.
Ngjarja ka tronditur banorët e këtij fshati, por askush nuk komentonte ngjarjen e rëndë të një dite më parë.
Ky është rasti i 4-ët i ngacmimeve seksuale në Qarkun e Korçës, tre prej të cilëve janë në Devoll. Në dy raste ai i ngacmimit të një 20-vjeçarjeje dhe ky i 9-vjeçares janë kryer nga persona me probleme të shëndetit mendor.
/a.r