Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, është jashtë rrezikut, pas disa të shtënave me armë zjarri që ndodhën teksa fliste në një tubim në Pensilvani.
Shërbimi Sekret bëri të ditur se një person u vra në audiencë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.
Agjentët vranë sulmuesin në vendngjarje, thuhet po ashtu në komunikatë.
Emri i tij nuk u bë i ditur, e as motivi i mundshëm.
Trump tha se u qëllua me një plumb që i “shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë”.
“E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova krisma, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Truth Social.
Ai falënderoi Shërbimin Sekret dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit për “reagimin e tyre të shpejtë”.
“Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë”, tha ai dhe i shprehu ngushëllime familjes së personit të vrarë në tubim.
Agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën Trumpin nga skena me të dëgjuar të të shtënave dhe e larguan me një automjet që e priste.
Trump dukej i gjakosur në njërën pjesë të fytyrës.
Policia e armatosur doli në podium menjëherë.
Trump, kandidat i pritur i Partisë Republikane për president në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit, po u drejtohej mbështetësve të tij në Batlër të shtetit të Pensilvanisë, kur ndodhi incidenti.
Media si CNN dhe BBC raportojnë se ai po hetohet si tentativë për atentat.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha gjatë një adresimi se është mirënjohës që merr vesh se Trump është mirë.
“Lutem për të dhe familjen e tij dhe për të gjithë ata që ishin në tubim, ndërsa presim informacione të mëtejshme”, tha Biden.
“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne nuk mund të jemi kështu. Ne nuk mund ta pranojmë këtë”, shtoi ai.
I pyetur nga një gazetar nëse beson se incidenti ishte përpjekje për atentat, Biden tha: “Dua të sigurohem që i kemi të gjitha faktet”.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris tha se dhuna si kjo, duhet të dënohet nga të gjithë.
“Ne lutemi për Trumpin, familjen e tij dhe të gjithë ata që janë plagosur dhe prekur nga këto të shtëna të pakuptimta”, tha Harris përmes një deklarate.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, shkroi në X se “dhuna nuk ka vend në politikën tonë”.
“Sonte, të gjithë amerikanët janë mirënjohës që presidenti Trump duket se është mirë, pas një sulmi të neveritshëm në një tubim paqësor”, shkroi ai.
Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, tha se është “tmerruar” nga ajo që i ndodhi Trumpit, por i lehtësuar që ai është jashtë rrezikut.
“Dhuna politike nuk ka vend te ne”, tha ai.
Ish-presidentët Barack Obama, George W. Bush, Bill Clinton dhe Jimmy Carter e dënuan po ashtu dhunën.
Incidenti ndodhi pak ditë përpara Konventës Kombëtare Republikane, në të cilën Trumpit pritet t’i konfirmohet nominimi i partisë si kandidat presidencial në zgjedhjet e 5 nëntorit./rel