U dorëzuan pas dhunës ndaj Klea Prengës, policia reagim zyrtar për motrat Berisha

3 hours ago 20

Policia e Shtetit ka reaguar për dorëzimin e dy motrave Berisha, Antonela dhe Mariela të cilat akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim dhe rrezikojnë deri në 10 vite burg.

Sipas policisë, pasditen e sotme rreth orës 19:00, dy shtetaset janë dorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Policia ka ekzekutuar vendimin e Prokurorisë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Mariela Berishën dhe masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Antonela Berishën.

“Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se:

Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases A. B”, njoftoi policia.

Motrat Berisha u dorëzuan dy muaj pas ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku dhunuan me shishe qelqi Klea Prengën, duke i shkaktuar dëme të rënda në fytyrë. Shkak i dhunës barbare mendohet se është bërë dyshimi i Marielës se Klea kishte lidhje me bashkëshortin e saj prej të paktën një viti.

/a.r

Read Entire Article