Veliaj vizitë zyrtare në Verona: Rrisim bashkëpunimin për pastrimin e Tiranës

5 months ago 19
Reklamë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë në Itali ku u takua me kryetarin e Bashkisë së Veronës  dhe kryebashkiakun e Viçencës. Veç homologëve, Veliaj mori pjesë edhe në aktivitetin “Fiera di Verona”, ku zhvilloi biseda me ministrin italian të Ekonomisë dhe Financave dhe atë të Agrikulturës.

Nga Verona, Veliaj ndau disa lajme të mira për qytetarët e Tiranës, lidhur me shërbimin e pastrimit të qytetit, e jo vetëm.

“Lajmi i parë i mirë është se ndërmarrja jonë e përbashkët ‘Eco Tirana’, një partneritet publik-publik mes Tiranës, Veronës dhe Viçencës, do të zgjerojë shërbimet e saj. Sigurisht, ka nevojë të pastrohet edhe më shumë. Nuk mund të mendonim një bashkëpunim më të mirë se sa me Veronën dhe Viçencën, dy qytetet më të pastra të Italisë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se një tjetër shërbim që duhet shtuar në Tiranë lidhet me krijimin e ishujve ekologjikë, ku qytetarët që kanë për të hequr elektroshtëpiake apo mobilje, t’i çojnë në vendin e përcaktuar.

“Duam të ofrojmë një shërbim të ri, ku qytetarët të sjellin produkte që nuk mund të futen në kazanët e rregullt të mbetjeve. Duam të shtojmë gjithashtu edhe disa shërbime të tjera, se si mund të përdorim edhe ujin e Bovillës, por edhe tarracat e qytetit, për të prodhuar më shumë energji. Lajmi i dytë i mirë, përveç kategorisë së pastrimit dhe energjisë, ka të bëjë me eksperiencën në “Fiera di Verona”, e cila është zona më e madhe e panaireve. Kryeministri ynë dhe kryeministrja e Italisë e kanë nisur tashmë një bisedë dhe po shikojmë mundësinë sesi të gjejmë instrumentin ku Tirana të bëhet gjithashtu, pjesë e rrjetit të panaireve, të mësojmë ose të bëjmë sërish një partneritet publik-publik me panairet e Veronës dhe të Tiranës”, tha Veliaj.

Gjatë vizitës në Verona, Veliaj vizitoi ishullin ekologjik, ku ilustrohet riorganizimi i sistemit të mbledhjes së mbetjeve dhe higjienës urbane të qytetit.

Read Entire Article