Bujqit nëpër Evropë janë duke protestuar tash e disa javë kundër, siç thonë ata, rregulloreve mjedisore tejet kufizuese, konkurrencës nga importet e lira prej vendeve që nuk janë pjesë e BE-së, si dhe kundër të hyrat të vogla.
Të dielën, bujqit nga Polonia e bllokuan autostradën A2 në lindje të kufirit me Gjermaninë.
“Bllokada nisi në orën 13:00. Të dyja anët e autostradës A2 janë bllokuar”, tha Ewa Murmylo, zëdhënëse e policisë lokale.
Bujqit kishin planifikuar fillimisht një bllokadë 25-ditore, por pas bisedimeve me përfaqësuesit lokalë, bizneset dhe transportuesit, vendosën për bllokadë më të shkurtër.
Ata kanë vendosur “ta zhbllokojnë rrugën mbase nesër” e hënë, tha Dariusz Wrobel, njëri nga bujqit dhe organizatorët e protestës.
“Kjo do të varet nga gjëra të cilat ne nuk mund t’i parashikojmë. Ne duhet të fillojmë të marrim veten seriozisht”, tha ai për AFP.
Të hënën, ministrat e Bujqësisë të BE-së pritet të takohen në Bruksel.
Ata pritet të bisedojnë për propozimet e reja të Komisionit Evropian për ndryshimin e rregulloreve që kanë nxitur pakënaqësi të mëdha në mesin e bujqve.
Bujqit në Poloni thonë se po e shënjestrojnë të ashtuquajturën Marrëveshje të Gjelbër të Bashkimit Evropian për energjinë, transportin dhe taksat. Kjo marrëveshje, sipas bllokut, synon të ulë emetimet e gazrave serrë. Bujqit veçmas janë goditur nga rritja e taksave dhe rregullave të tjera.
Bujqit polakë kishin protestuar edhe në kufi me Ukrainën, duke përkeqësuar raportet mes këtyre dy shteteve, pavarësisht se Varshava është një mbështetëse e madhe e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus. / rel