Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti morri pjesë këtë të mërkurë në inaugurimin e një shkolle në komunën e Podujevës. Por kjo vizitë është shoqëruar një ditë më pas me një kërkim falje nga ana e Kurtit.
Në një klasë Kryeministri ka provuar zgjidhjen e një ekuacioni të klasës së shtatë, por në fund rezultoi se e kishte bërë gabim.
Pas publikimit të rastit në rrjetet sociale, kanë reaguar shumë qytetarë të cilët kanë komentuar se zgjidhja është gabim. Në ekuacion, Kurtit i doli 5 rezultati i X ndërsa duhej të ishte 0. Gabimin e ka pranuar edhe vetë Kurti pak orë më vonë me një reagim në Facebook.
“Kërkim falje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”. Të dashur nxënës, ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve.
Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0. Ju përshëndes e ju dua fort, Albini”, shkroi Albin Kurti.
/a.r