Shoqata e biznesit të vogël e të mesëm të Shqipërisë ka reaguar për mos shitjen e mollëve të fermerëve të juglindjes së vendit.
Për gjetjen e një zgjidhjeje, kjo shoqatë i kërkon ministrisë së Bujqësisë, asaj së Financave dhe kryeministrit të veprojnë për t’u ardhur në ndihmë fermerëve në mënyrë që ata të sheshin afro 15 mijë ton mollëve që ndodhen në magazinat frigoriferë.
Sipas nënkryetarit të kësaj shoqate Bujar Muço dy janë mundësitë për të ardhur në ndihmë fermerëve
“Të shesin prodhimin që ka ngelur i ruajtur në frigorifer, rritja e referencës së importit dhe rritjen e kontrollit të analizave të prodhimit që vjen nga vendet e tjera”, thotë Muço.
Nënkryetari i shoqatës ka bërë me dije se në qoftë se kjo situatë nuk merr zgjidhje, fermerët do të përshkallëzojnë protestat.
I gjithë ky ngërç në mos shitjen e prodhimit ka ardhur për shkak të grumbullimit me çmim të lartë nga ana e grosistëve ndërkohë që mollët që vijnë nga Serbia, Moldavia dhe Polonia janë me çmim të ulët duke bllokuar prodhimin vendas./vizionplus.tv