Pep Guardiola thotë se suksesi fenomenal i Mançester Sitit në Premier Ligë nuk do të ishte i mundur pa formën e tyre të shkëlqyer në shtëpi. Përpara se të presin Sauthemptonin të shtunën, kampionët e Anglisë kanë shijuar një ecuri prej 34 ndeshjesh radhazi pa humbje në stadiumin “Etihad” në Premier Ligë.
Për herë të fundit, “Qytetarët” u mundën në shtëpi kundër Brentfordit, një disfatë 2-1 më 12 nëntor 2022. Që atëherë ata kanë fituar gjashtë trofe të mëdha, duke përfshirë tripletën dhe një kurorë të katërt radhazi të Premier Ligës, e cila është bërë e mundur falë rezultateve të tyre në shtëpi. Dhe Guardiola ka lavdëruar qëndrueshmërinë e ekipit të tij gjatë dy viteve të fundit në “Etihad”.
Kur u pyet për formën e skuadrës së tij në shtëpi, ai tha: “Është mirë, është vërtet mirë. Do të thotë se ne jemi të qëndrueshëm, përndryshe nuk do të fitoni katër tituj Premier Lige radhazi. Nëse nuk i keni këto lloj rezultatesh nuk është e mundur, si në Ligën e Kampioneve apo në fazat e fundit. 26 ndeshje të pamposhtur, kjo vjen sepse ne jemi të qëndrueshëm. Nëse nuk je, ju nuk do ta fitoni Premier Ligën për shumë vite. Kjo është arsyeja pse. Kur jemi në shtëpi, ne bëjmë çdo herë punën tonë”.
Ai dha lajmin e keq se Xhek Grilish dhe Xheremi Doku nuk do të jenë të disponueshëm, përveç mungesave të sigurta të Kevin de Bryjnes dhe Kajl Uokerit. Ai vlerësoi edhe kundërshtarin e sotëm, Sauthemptonin, dhe trajnerin e tyre Rasëll Martin: “Ai do të ketë sukses herët a vonë. Normalisht kur ndryshoni idetë tuaja, është e vështirë. Por është një nga detyrat tona të bindim lojtarët se ajo po bëhet për mirë. Është e pamundur t’i stërvitim ata në diçka nëse tregoni se nuk besoni. Unë kam gjithmonë shumë respekt për ekipet e ngjitura. Nuk e di se si mund të ankohemi ndonjëherë për orarin e ndeshjeve, kur shikoni sa ndeshje luajnë ekipet e Championship. Ata kanë kurajën të luajnë dhe janë të guximshëm me topin. Uolvesi ishte në vendin e fundit dhe ne vuajtëm për të fituar”.