Kujt nuk i pëlqen të “zhytet” në një libër interesant? Pavarësisht zhanrit, leximi është gjithmonë një arratisje e këndshme, sidomos nëse ju themi që me kalimin e moshës dobitë që i sjellë trurit dhe trupit janë të shumta.
Leximi i rregullt mund të jetë veçanërisht i dobishëm kur hyjmë në moshën e mesme (dhe më tej). “Si truri ynë, ashtu dhe zemra apo muskujt tanë, nëse nuk i përdorim, ne i humbasim ato,” thotë terapistja e traumës Christine Gibson.
Por, cilat janë përfitimet?
#1 Më pak stres
Ka një arsye pse njerëzit tërhiqen drejt leximit kur ndihen të tensionuar ose të mbingarkuar. Leximi mund t’ju ndihmojë të relaksoheni dhe të largoni vëmendjen nga streset e përditshme duke ngadalësuar rrahjet e zemrës dhe duke qetësuar muskujt tuaj. Sipas një studimi nga “University of Sussex”, leximi për vetëm gjashtë minuta mund të zvogëlojë nivelet e stresit deri në 68%.
#2 Forcon kujtesën
Një studim në neurologji zbuloi se leximi, së bashku me forma të tjera të aktivitetit njohës, mund të vonojë fillimin e sëmundjes së Alzheimerit me pesë vjet te njerëzit 80 vjeç e sipër. Mjekja Gibson shton se leximi “mund të vonojë disa prej simptomave” të lidhura me demencën, të tilla si problemet e kujtesës, harresën etj.
#3 Gjumë më i mirë
Në një studim rezultatet e të cilit u publikuan në Trials (faqe statistikash) pjesëmarrësve iu kërkua të lexonin një libër para se të flinin. Studimi zbuloi pas një jave se 42% e njerëzve që lexonin bënin gjumë më të mirë krahasuar me 28% të grupit që nuk lexonte libra.
#4 Një zemër më e shëndetshme
Leximi i diçkaje humoristike apo një romani dashurie është një ilaç i mirë për zemrën. Studimet tregojnë se një e qeshur më shumë ul ndjeshëm rrezikun e problemeve të zemrës dhe goditjeve në tru.