Policia britanike po kryen kontrolle intensive pasi dy valixhe që besohet se përmbajnë mbetje njerëzore u gjetën në urën e Clifton në Bristol, në Anglinë jugperëndimore.
Policia tha se mori informacion për një burrë që mbante një valixhe dhe sillej në mënyrë të dyshimtë në urë pak para mesnatës së të mërkurës, por kur oficerët mbërritën në vendngjarje, ai ishte larguar, duke e lënë valixhen aty. Një valixhe e dytë u gjet pak larg.
Në një deklaratë sot, Policia e Avon dhe Somerset tha se dy valixhet besohej se përmbanin mbetje njerëzore, shkruan Sky News.
“Kjo është një ngjarje e rëndë dhe unë e kuptoj plotësisht shqetësimin që do të shkaktojë në komunitetet tona,” tha shefi i policisë së Bristol, Viks Hayward-Mellen.
“Prioriteti ynë është të gjejmë njeriun që ka çuar valixhet në urë, të identifikojmë të ndjerin dhe të informojmë të afërmit e tij”, shtoi ai.
Ura do të qëndrojë e mbyllur deri në përfundimin e hetimeve të policisë në zonë.
Është një nga atraksionet më të njohura të Bristolit dhe është ndërtuar në vitin 1864 bazuar në një dizajn nga inxhinieri i famshëm i shekullit të 19-të Isabard Kingdom Brunel./vizionplus.tv