“Lufta e Rusisë nuk është vetëm luftë kundër Ukrainës, por edhe kundër botës demokratike, kundër vendeve të NATO-s”, ka thënë të hënën në Shkup ambasadorja e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Larysa Dir në një tribunë kushtuar dyvjetorit të agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë.
Sipas saj, “mosndëshkimi i Kremlinit për krimet e kryera në Buça, Irpin, Mariupol, Izjum dhe Avdivka vetëm nxit krime shtesë”.
Ambasadorja ukrainase, Larysa Dir, i bëri thirrje Perëndimit që të vazhdojë me ndihmën për Ukrainën për përballje me agresionin rus.
“Ne kemi nevojë për armë për mbrojtje. Ne duhet të zgjerojmë koalicionet e mbrojtjes për të garantuar sigurinë. Është e nevojshme të forcohen sanksionet kundër Federatës Ruse dhe të zbatohen ato në mënyrë që të mos ketë financim indirekt të prodhimit të raketave që fluturojnë mbi kokat e ukrainasve dhe djegin tokën ukrainase”, theksoi ambasadorja Dir.
Duke dënuar agresionin rus, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se Shkupi mbetet i përkushtuar të bëjë gjithçka për të ndihmuar shtetin e Ukrainës.
“Lufta në Ukrainë është kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë evropiane, rezultati i së cilës do të ndikojë në rendin, jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet në vijim. Kjo luftë do të tregojë nëse përdorimi i forcës do të bëhet parimi bazë që duhet të përcaktojë natyrën e marrëdhënieve ndërmjet shteteve në këtë shekull, apo do të mbetet në fuqi ajo që është shkruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara që shtetet anëtare janë të barabarta ndërmjet tyre, pavarësisht nëse janë të vogla apo të mëdha”, ka deklaruar Pendarovski.
Në shënimin e dyvjetorit të agresionit rus morën pjesë ambasadorët e disa shteteve evropiane në Maqedoninë e Veriut, si ambasadorja amerikane Angela Ageler, por edhe qytetarë ukrainas dhe anëtarë të shoqatës “Lesja Ukrainka”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.