Nga Emili Bibolli
Arrestimi i Ilir Metës pak ditë më parë është ngjarja e fundit që ka pushtuar mediat dhe opinionin publik. Arrestimi i tij nuk ka vend për keqardhje, kjo pasi është alarmuese dhe thellësisht zhgënjyese që individë si Ilir Meta, që kanë mbajtur poste kaq të larta në skenën politike shqiptare rezultojnë të përfshirë në pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurive. Ky fenomen tregon për një rënie drastike të standardeve etike dhe mungesën e përgjegjshmërisë në politikën e vendit. Në vend që të jenë në shërbim të popullit, shumë politikanë e shfrytëzojnë pushtetin për përfitime personale, duke krijuar një sistem të kalbur nga korrupsioni, nepotizmi dhe servilizmi.
Në këtë arenë me sfond të errët politik, jemi të vetëdijshëm se liderat shqiptarë kanë abuzuar me besimin e dhënë nga populli, duke plaçkitur pasuritë e vendit për interesa vetjake për vite të tëra. Në këtë sistem të degraduar korrupsioni është kthyer në normë. Për vite me radhë, populli shqiptar ka qenë dëshmitar i një numri të pafund politikanësh që kanë shkelur ligjet. Disa janë mbrojtur nga sistemi gjyqësor i korruptuar, duke penguar drejtësinë që të veprojë siç duhet e disa të tjerë nuk kanë shkuar kurrë në dyert e drejtësisë.
Arrestimi i Ilir Metës, ish-Presidentit të vendit dhe i një figure dominuese në politikën shqiptare është shenjë e një ndryshimi të madh në mënyrën se si po trajtohen politikanët që kanë abuzuar me pushtetin. Është një lajm pozitiv që instrumentet e reja të drejtësisë, siç është SPAK, kanë marrë rolin e tyre të duhur për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet e politikës. Nëse për shumë vite shqiptarët ishin të detyruar të shihnin kriminelë dhe politikanë të korruptuar që liroheshin nga ata që gjoja i shërbenin drejtësisë ose u jepnin ndëshkime simbolike, tani më në fund po shohim një drejtësi që vepron, pavarësisht presioneve politike apo kërcënimeve brenda sallave të gjyqeve.
Megjithatë, mënyra sesi ndodhi arrestimi i Metës ngriti debate jo pak të forta në media dhe mes opinionistëve. Disa gazetarë e kritikuan këtë mënyrë duke e argumentuar se arrestimi nuk ishte “dinjitoz” dhe se edhe një kriminel duhet të trajtohet me dinjitet. Natyrisht, është thelbësore që çdo arrestim të kryhet në përputhje me ligjet dhe në respekt të të drejtave themelore të njeriut. Por a e meriton të arrestohet me dinjitet një politikan që ka përdhosur dinjitetin e mijëra shqiptarëve për vite të tëra, duke vjedhur, mashtruar dhe shkatërruar të ardhmen e tyre dhe brezave të rinj?
Fatkeqësisht jetojmë në një vend ku qeverisjet shpesh kanë qënë sinonim i korrupsionit dhe vjedhjes. Cdo qeverisje ka patur dhe ka një mori skandalesh dhe aferash korruptive nga ku del në pah se si grabiten paratë e popullit shqiptar. Fatkeqësisht jetojmë në një vend ku politika është shterpë dhe nuk prodhon asnjë alternativë të re. Vazhdojnë të njëjtat figura politike, të vjetra, të ndotura, të korruptuara dhe të përbuzura nga shqiptarët dhe nga bota që arrijnë të mbledhin vec 10 veta poshtë ballkonit për të mbajtur fjalimin e radhës. E kur afrohen zgjedhjet për të bërë pazarat e radhës.
Ndaj për shumë shqiptarë që kanë qenë viktima të një sistemi të padrejtë, arrestimi i politikanëve si Meta është një moment i rëndësishëm për të kuptuar se drejtësia po vepron. Korrupsioni në Shqipëri është një fenomen i cili ndikon drejtpërdrejt në jetët e përditshme të qytetarëve, në ekonominë e vendit dhe në të ardhmen e brezave të rinj. Shqiptarët janë të rraskapitur nga futja e dorës në xhepat e tyre dhe nga politikanët që kanë ngritur perandori pasurish të pamerituara në kurriz të popullit.
Një politikan që ka abuzuar me pushtetin nuk meriton asgjë më pak se ndëshkim të plotë nga drejtësia. Dhe jo vetëm Meta, por çdokush që ka futur duart në xhepat e shqiptarëve meriton të përballet me të njëjtin fund. Drejtësia nuk duhet të jetë selektive dhe as të ndikohet nga pozitat politike apo pushteti që një person ka mbajtur ose mban.
Arrestimi i Ilir Metës mund dhe duhet të jetë fillimi i një epoke të re për politikën shqiptare.