Prokuroria e Posaçme ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
SPAK njofton se ish-ministri, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut, ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulajn përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fictive. Sipas hetimeve rezulton se të paktën tetë prokurorime publike janë kryer në mënyrë fiktive, pasi fituesit janë paracaktuar më herët.
Prokuroria e Posaçme informon se Ermal Kurtulaj është emëruar nga Ilir Beqaj në datën 26 Maj 2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR në SASPAC.
“Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim I. B. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës”, njofton SPAK.
Po ashtu, ish-ministri dyshohet se ka investuar shumë të majme parash në formën e blerjes së pajisjeve të ndryshme, ku në fakt vlerat monetare janë investuar në një restorant.
“Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ish-ministri akuzohet edhe për fshehje pasurie.
“Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim E. K.
Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore si dhe administrimit të provave Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal në ngarkim të personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime në kuadër të këtij procedimi”, theksohet në njoftim.