Partia Demokrate ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të mërkurë në shkodër, ku humbën jetën Hamza Lici dhe Flutura Basha si dhe u plagosën rëndë Bashkim Basha dhe Arlind Bushati.
Eliona Shkreli, këshilltare bashkiake dhe anëtare e kryesisë së PD tha se Policia duhet të zbardhë ngjarjen dhe të çojë para drejtësisë autorët.
Shkreli shprehet seShkodra është kthyer në arenën e përgjakëshme ku vrasësit nuk zbulohen kurrë.
Reagimi i plotë:
Ngjarja kriminale e mbrëmjes së sotme tregon qartë se jeta e qytetarëve shkodranë nuk është e garantuar.
Rendi dhe qetesia janë ne rrezik, policia eshtë e paaftë për të reaguar ndaj krimit sepse është palë me të.
Dy te vdekur dhe dy te plagosur është bilanci i rëndë që gjakosi rrugët e Shkodrës dhe që tronditi mbarë opinionin shkodran që sot Shkodrën e krahason me Siçilinë, ku shteti bën pakt me krimin dhe mbyll sytë përballë masakrave të tilla.
Krimi nuk kursen më askënd. Shkodra është kthyer në arenën e përgjakëshme ku vrasësit nuk zbulohen kurrë. Policia dhe forcat ligjzbatuese tashmë janë gjunjëzuar përballe krimit, i cili çdo ditë e më shumë po sundon mbi shtetin.
Partia Demokratike dega Shkodër i kerkon Policisë se shtetit të ngrihet në lartësine që i jep ligji, të vihet në shërbim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe jo të behet urë politike e lidhjeve të zeza të bandave me pushtetin. Policia të zbardhë ngjarjen dhe të çojë para drejtësisë autorët e kësaj ngjarje makabre që e ka kthyer Shkodrën nga djepi i kulturës në arenën e luftbetejave kriminale.
Kjo qeveri e inkriminuar deri në palcë duhet të shporret dhe rënia e saj do fillojë nga Shkodra, sepse Shkodra nuk pranon kurrë të kthehet në qytetin e gjakut dhe të krimit!