“Ishte si një cunami”, dëshmitë tronditëse të qytetarëve në Spanjë pas përmbytjeve, numri i viktimave shkon në 95

2 hours ago 21

Të paktën 95 persona humbën jetën për shkak të përmbytjeve në Spanjën lindore të martën.

92 vdekje u regjistruan vetëm në Valencia, i cili është rajoni më i goditur. Dy vdekje u raportuan në Castilla-La Mancha fqinje dhe një në Andaluzi.

Këto janë përmbytjet më vdekjeprurëse që kanë goditur vendin iberik në pothuajse tre dekada, duke shkaktuar kaos në disa komunitete.

Qeveria spanjolle ka shpallur tre ditë zie kombëtare nga e enjtja deri të shtunën.

Sipas vlerësimeve të qeverisë, rreth 140,000 njerëz janë pa energji elektrike.

Rreth 132 mijë prej tyre ndodhen në Valencia, e cila ka pësuar goditjen më të madhe deri më tani.

Rreth 500 njerëz po punojnë në Valencia dhe Alicante për të rivendosur shërbimet, ndërsa burimet janë mobilizuar nga zona të tjera gjeografike për të përshpejtuar punën.

Në të njëjtën kohë po bëhen përpjekje për gjeneratorët, si zgjidhje e përkohshme.

Ekipet e shpëtimit po operojnë vazhdimisht në zonë, duke u përpjekur të shpëtojnë njerëz dhe kafshë.

Dëshmitë e njerëzve që jetuan fatkeqësinë janë tronditëse.

“Kur uji filloi të ngrihej, erdhi si një valë,” tha Guillermo Perez.

“Ishte si një cunami”, tha një 21-vjeçar nga Paiporta, pranë Valencias.

Ai ishte duke lëvizur në autostradë me prindërit e tij mbrëmjen e së martës kur gjithçka ishte përmbytur.

Ata mbijetuan duke u ngjitur në një urë dhe duke braktisur makinën e tyre. “Presioni ishte i madh. Arrita të dal nga makina dhe uji më shtyu pas një gardh të cilin arrita ta kapja por nuk munda të lëvizja. Ai nuk më lejonte. Më grisi rrobat”, tha një tjetër.

kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez bëri thirrje për unitet, solidaritet dhe vigjilencë.

Ai paralajmëroi qytetarët “episodi katastrofik nuk ka mbaruar ende.”

“Ka ende paralajmërime për mot të keq në Andaluzi, Valencia, Aragon, Castile dhe Leon, Katalonjë, Extremadura, Navarra, La Rioja dhe Ceuta. Prandaj kërkoj nga qytetarët e këtyre zonave që të kenë kujdes të shtuar, të shmangin udhëtimet pranë grykave, brigjeve dhe shtretërve të lumenjve dhe të marrin parasysh këshillat e shërbimeve të urgjencës dhe policisë. Askush nuk duhet të vërë jetën në rrezik”, theksoi ai.

Kryeministri spanjoll shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe të zhdukurve.

“Ne do t’ju ndihmojmë në të gjitha mënyrat që ka shteti. Dhe nëse është e nevojshme, nga Bashkimi Evropian”, tha ai./vizionplus.tv

Read Entire Article