“Përgjaket Maji”, kjo ka qenë tema e emisionit “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
Të ftuarit në studio kanë komentuar ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë këtyre ditëve në Shqipëri, ku e fundit ishte mëngjesin e sotëm, ku babi mori peng fëmijët e tij.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj deklaroi në emision se i arrestuari Aleks Marku ishte një person problematik i cili ishte denoncuar disa herë për dhunë në familje.
Sipas gazetarit Barkaj ka patur raste kur 40-vjeçari ka kërcënuar me armë në kokë fëmijët në sy të bashkëshortes.
Ndërsa ka theksuar se familjarët e gruas së tij kanë akuzuar policinë për mosmarrje masash.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Çfarë ndodhi konkretisht në Durrës?
Barkaj: Një ngjarje e rëndë që fatmirësisht u parandalua nga policia, i cili më pas u arrestua. Aleks Marku 40-vjeç një person me probleme të shëndetit mendor, por dhe konsumues narkotikësh. Ai kishte marrë peng 2 fëmijët e tij në shenjë hakmarrjeje ndaj bashkëshortes së tij. Bashkëshortja e tij kishte urdhër mbrojtjeje.
Borakaj: Ajo ka thënë që nuk është dhunuar fizikisht?
Barkaj: Familjarë të saj kanë thënë që ajo është dhunuar brutalisht. Shpesh madje kërcënonte me armë fëmijët në sy të bashkëshortes. Familjarët kanë shprehur edhe akuza, të cilët kanë thënë se i janë drejtuar shpesh policisë, por ai është lënë i lirë.