Komisioni Hetimor për Ndërhyrjet në Sistemin TIMS dëgjoi sot për më shumë se tre orë ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.
Pas përfundimit të dëshmisë së Ballës, në Komision po diskutohet nëse dëshmia e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i thirrur si dëshmitar, do të zhvillohet me dyer të hapura ose jo.
Deputeti socialist Toni Gogu, nënkryetar i Komisionit, tha se edhe dëshmia e kreut të Policisë së Shtetit duhet të bëhet me dyer të mbyllura.
Ai tha se ka një kërkesë formale nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që kërkon këtë gjë.
“Kërkojmë që të hidhet në votim kjo kërkesë”, tha Gogu.
Nga ana tjetër, kryetari i komisionit, Ervin Salianji kërkoi që dera të jetë e hapur dhe të jenë të pranishëm gazetarët.
“Të vijnë mediat. Të hapet dera edhe të vijnë mediat”, tha Salianji.
“Prej vitesh, përfaqësuesit PS u bien tambureve me shumë fuqi që njëherë e një kohë ka pasur zyrtarë që pavarësisht masës së sigurisë, rrinë në detyrë. Po jua kujtoj se drejtori i IT së Policisë së Shtetit ndodhet në detyre dhe është vetëm i pezulluar. Sipas rendit të ditës, kemi në dëgjesë si dëshmitarë Drejtorin Muhamet Rrumbullaku. Gazetarët duan të vijnë, dhe ju i mbani poshtë derës së këtij Kuvend. Në mënyrë të menjëhershme, të hapni dyert, media është e detyrueshme të vijë. Për ju është e rëndësishme të mos kemi transparencë”, shtoi Salianji.
Para komisionit sot do të dalë edhe ish-drejtori i teknologjisë së informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, për të cilin gjykata ka vendosur si masë sigurie “arrest në shtëpi”, por që me lejen e prokurorisë, ndodhet në ambientet e Kuvendit per t’u pyetur nga komisioni.
Ministri i Brendshem Taulant Balla ishte i pari që dëshmoi para komisionit pa praninë e medias, për shkak se informacioni ishte sekret shtetëror./vizionplus.tv