Bashkitë në “aksion” për taksën e pasurisë/ Mbledhin 61 milionë euro në 9 muaj, tejkalohet plani vjetor

2 weeks ago 18

Bashkitë kanë pasur performancë pozitive në mbledhjen e taksës së pasurisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se përgjatë periudhës janar-shtator 2024, 61 bashkitë në vend kanë arkëtuar 6 miliardë lekë apo afro 61 milionë euro, shifra më e lartë e dekadës së fundit.

Në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023, taksa mbi ndërtesat ka furnizuar njësitë e vetëqeverisjes vendore me afro 14 milionë euro më shumë, duke shënuar një rritje me 30.7 %.

Ndërsa në raport me planin 2024 për 9 mujorin, ka pasur një kapërcim me 4.2 % më shumë se sa ishte parashikuar.
Nevoja për më shumë të ardhura dhe domosdoshmëria për të shlyer stokun e detyrimeve të prapambetura, por edhe afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme, i ka bërë që bashkitë t’i japin më shumë vëmendje vjeljes së taksës mbi ndërtesat ndonëse ende nuk ka nisur aplikimi i taksës sipas vlerës së tregut.

E thënë ndryshe, në 9 muaj, është kapërcyer plani vjetor i mbledhjes së kësaj takse, ku në total parashikohet të arkëtohen 5.7 miliardë lekë.

Ndikim në këtë perfomancë ka pasur rritja e sipërfaqeve ndërtimore, zhvillimi që ka marrë ky sektor kryesisht në zonat bregdetare si dhe rritja e numrit të transaksioneve. Peshën më të madhe në mbledhjen e kësaj takse e ka Bashkia Tiranë, ndjekur nga bashkitë në zonat bregdetare dhe njësitë e tjera të mëdha.

Qeveria planifikon përgatitjen e kadastrës fiskale dhe zbatimin e taksimit bazuar në vlerën e tregut për ndërtesat duke filluar nga viti 2026, si dhe zbatimi i taksimit bazuar në vlerën e tregut për parcelat duke filluar nga viti 2028, duke përfshirë plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, finalizimin e Sistemit Informativ të Kadastrës Fiskale me ndërveprueshmërinë dhe integrimin me sistemet e tjera, duke adresuar kërkesat e personelit dhe ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore.

Read Entire Article