BE kritika për financat publike, Gonzato: Keqpërdorim me aktet normative, mbikëqyrni projektet PPP

4 months ago 21
Reklamë

Bashkimi Evropian kritikoi institucionet për menaxhimin e financave publike, duke kërkuar që rishikimi i buxhetit të mos jetë më e drejtë ekskluzive vetëm e qeverisë.

Ambasadori Silvio Gonzato, gjatë prezantimit të strategjisë për menaxhimin e financave publike, kërkoi edhe më shumë punë për të luftuar informalitetin dhe mbikëqyrje më të fortë për kontratat me PPP.

“Ne kemi shprehur shqetësime për përdorimin eksluziv të akteve normative për rishikimin e buxhetit. Kjo mund të jetë e justifkueshme në situata krizash, por ne jemi të mendimit që duhet të kthehemi te rishikimi i buxhetit me anë të procerdurave sepse është e rëndësishëm edhe mbikëqyrja e Parlamentit dhe KLSH sepse rekomandimet dhe gjetjet e saj duhet të diskutohen dhe të merren parasysh në Kuvend. E rëndësishme mbetet edhe forcimi i mbikëqyrjes për projektet PPP. Në fushën e tatimeve, të merren masa për të zgjeruar gjithnjë e më shumë bazën tatimore duke luftuar informalitetin dhe duke përmirësuar administratën tatimore”,  tha Gonzato.

Edhe Banka Botërore bëri apel që financat publike të përdoren me eficencë, pa korrupsion dhe në përgjigje të situatave të krizës.

“Kjo strategji ka 4 elementë kritikë: prioritizimi, gjithmonë ka nevojë për më shumë burim, ndaj duhet të ketë një mënyrë shumë sistematike për të prioritizuar financat publike. E dyta është eficenca në përdorimin e financave publike. E treta është transparenca dhe llogaridhënia, duhet të sigurohemi që mundësitë për korrupsion të eliminohen sa më shumë të jetë e mundur. E fundit është fleksibiliteti. Gjatë viteve të fundit kemi pasur periudha krizash dhe në këto situata ka pasur nevojë për rialokim fondesh dhe ky proces duhet të jetë i shpejtë”, u shpreh Emanuel Salins nga Banka Botërore.

Ministri i Financave tha se fokusi i strategjisë së hedhur në konsultim publik është forcimin i kontrollit mbi investimet dhe auditi i brendshëm.

“Strategjia e re që prezantojmë sot për Menaxhimin e Financave Publike synon ndër të tjera: Përmirësimin e mëtejshëm të politikave fiskale dhe makroekonomike; Avancim në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritjen e monitorimit dhe raportimit; Rritjen e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor; Forcimin e menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimin e mëtejshëm të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit”,  tha Mete.

Mes të tjerash, strategjia parashikon që të krijohet një këshill fiskal për të vlerësuar politikën fiskale të qeverisë. /vizionplus.tv

Read Entire Article