Një 51-vjeçar shqiptar me precedent të mëparshëm kriminal është arrestuar në Milano. Shqiptari ka rënë në pranga pas një megaoperacioni nga policia italiane.
Sipas mediave të huaja, një ditë më parë u zbulua një rrjet trafikimi të lëndëve narkotike, teksa kontrollet policore u shtrinë në disa qytete.
Policia tha se sekuestroi kokainë dhe një sasi të konsiderueshme parash cash, duke zbuluar trafik të mirëorganizuar në zonat e Brerës.
Gjatë kontrollit, oficerët vunë re një burrë të dyshimtë duke lëvizur në “Viale Tunizi”. 51-vjeçari shfaqi sjellje si një tregtar i mundshëm droge, duke shikuar përreth për të parë nëse po ndiqej.
Kjo tërhoqi vëmendjen e oficerëve, të cilët vendosën të monitoronin veprimet e tij. Më pas shqiptari u pa teksa i dorëzoi një pako një shtetasi të huaj. Në këtë moment u krye ndërhyrja dhe në flagrancë u kapën 4 doza kokainë.
Kontrolli i mëtejshëm zbuloi edhe 24 doza të tjera të fshehura në të brendshme dhe 6 pako me drogë sintetike “2-CB”. Gjithashtu u sekuestruan 315 euro cash, dy celularë në xhep, si dhe një zarf me 7350 euro para të gatshme. Kontrolli u shtri në banesën e shqiptarit, ku iu gjetën 20 pako të tjera “2-CB”, materiale paketimi droge dhe mbi të gjitha një shumë e madhe parash të fshehura brenda lavatriçes, 10 mijë euro cash.
Hetuesit shpresojnë se nëpërmjet 51-vjeçarit do arrijnë tek kokat e grupit të narkotrafikut në Milano dhe më gjerë. /vizionplus.tv