Mesditën e kësaj të mërkur kreu i PD Sali Berisha do të paraqitet në SPAK, ku pritet t’i komunikohet akuza nga Prokuroria e Posaçme, për çështjen “Partizani”.
Berisha ndodhet prej muajsh në arrest shtëpie për këtë dosje. E njëjta masë sigurie është dhënë edhe për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin. Edhe ky i fundit do të paraqitet këtë të mërkurë në SPAK.
Lexo edhe :
Related Posts
Por ndërsa pritet që Berishës t’i komunikohet zyrtarisht akuza, në PD ka nisur mobilizimi i anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së.
Përmes një mesazhi të siguruar nga gazetarja e Vizion Plus Olta Blaceri, sekretari i përgjithshëm Flamur Noka u ka kërkuar anëtarëve organizimin e një proteste, para godinës së SPAK.
“Të dashur miq. Ditën e Mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP.
Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtësisë”, thuhet në mesazhin që Flamur Noka ua drejton anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së.
Që prej muajit dhjetor kur SPAK e la në arrest shtëpie, mbështetës të PD kanë protestuar poshtë ballkonit të Berishës, aty ku ky i fundit ka mbajtur në mënyrë të vazhdueshme fjalimet e tij, ku nuk kanë munguar as akuzat ndaj qeverisë./vizionplus.tv