Maren, një vajzë 8-vjeçare ka arritur të rrëmbejë zemrat e publikut shqiptar me talentin e saj për akrobacinë dhe këndimin.
Ajo mori pjesë në programin “Albania’s Got Talent” në Vizion Plus, ku spikati për guximin për të performuar para një audience të madhe dhe personazhin si një show-girl e vërtetë.
Maren e vogël është imazhi dhe fytyra engjellore që hapet në telefonin e çdo shqiptari, ku pafajësia dhe talenti i saj nuk mund të rrinë pa u parë me dhjetra madje dhe qindra herë, këtë e tregojnë shifrat në Instagram, Facebook, Tik-Tok dhe Youtube.
E ftuar në studion e 7 pa 5 në Vizion Plus, Maren tregoi se si e ka përjetuar famën që ka marrë pas transmetimit të performancës së saj. Me batuta e komente epike, 8-vjeçarja nuk la pas edhe jurinë. Ajo tha se anëtari i jurisë, Kastro Zizo nuk ishte plakur fare, çka shkaktoi të qeshura në studio.
Edhe pse ajo e ka yllin në ballë, Maren na tregoi se stërvitet 3 herë në javë.
“Pasi u dha shfaqja të hënën, u bëra e famshme. Më thanë shokët shoqe që të kemi parë në televizor. Unë edhe këndova edhe bëra akrobaci. Nga juria, Ledina dhe Adelina më pëlqyen më shumë. Në një javë ne stërvitemi 3 herë me 1 orë, 2 orë. Nuk do të themi se çfarë do bëjmë në performancën e radhës se na kopjojnë dhe na rroftë ne që po bëjmë ushtrimet. Nuk e di a e kam yllin në ballë për të fituar “Albania’s Got Talent”. Kastro ishte shumë mirë, nuk ishte plakur fare. Unë se njihja jurinë. Unë emocione nuk kisha fare. Publiku më ka përkrahu”, tha Maren.
E shkathët dhe e çiltër, komunikimi i saj me anëtaren e jurisë Adelina Ismailin është bërë sensacion në rrjetet sociale.
“Tek shtepia e Adelinës do iki të premten deri të dielën”, shtoi 8-vjeçarja.
Fiona Rushiti, mësuesja e Maren tha se 8-vjeçarja e ka bërë shumë krenare me performancën e saj. Teksa foli me nota të larta profesionalizmi, Rushiti u shpreh se Maren është bërë më e mirë se zysha.
“Nuk di çfarë të them. Maren është bërë virale, na pushtoi rrjetin. Prindërit duhet të mësohen tani me këtë gjë, sepse Maren e ka yllin në ballë. Unë e kam ndarë Maren, jo të dilte me grupin, sepse e dija që do ishte personazh. Në bashkëpunim me mamin e Maren e vendosëm, sepse Maren është shumë e lidhur me grupin. Maren është për skenë, për personazhin që është ajo nuk ka koment. Të gjitha komentet kanë qenë pozitive. Maren më ka bërë shumë krenare. Maren më ka mbajtur me kokën lart. Dal në rrugë më thonë të gjithë nxënësja jote është ajo. Telefoni im nuk ka pushuar së rëni kur doli Maren të përformojë. Më e mirë se zysha, kot nuk është ajo shprehja. Maren e meriton, si stërvitet kjo vajzë. Maren merr vegla nga palestra dhe stërvitet ne shtëpi”, deklaroi Fiona Rushiti.
“Albania’s Got Talent” hapi të hënën e 11 nëntorit siparin e spektaklit në Vizion Plus, ku 12 konkurentët e parë i treguan jurisë publikut dhe telespektatorëve se ata dinë të dhurojnë spektakël.
Një spektakël që vendosi rekorde shikueshmërie në të gjitha platformat. Më shumë se 10 milionë shikime në 72 orë në rrjetet sociale Facebook, Tik-Tok, Youtube dhe Instagram. /vizionplus.tv