Bilanc tragjik nga zjarret në Kili, 112 të vdekur, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

9 months ago 10

Të paktën 112 persona kanë humbur jetën nga zjarret në rajonin Valparaiso të Kilit, kanë thënë autoritetet lokale.

Gabriel Boriç shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe tha se do të vinte në dispozicion “të gjitha burimet e nevojshme” për të trajtuar situatën.

Besohet se është zjarri më vdekjeprurës i regjistruar në pyje në Kili. Shumë prej të prekurve po vizitonin rajonin bregdetar gjatë pushimeve verore.

Një alarm shëndetësor u vendos në Valparaiso nga ministria e Shëndetësisë.

Studentët e mjekësisë që janë afër përfundimit të studimeve të tyre do të punësohen për të ndihmuar në lehtësimin e presioneve ndaj shërbimit shëndetësor, njoftoi ministria në të njëjtën deklaratë.

Shërbimet e shpëtimit kanë luftuar për të arritur në zonat më të prekura dhe Ministrja e Brendshme Carolina Tohá tha se numri i të vdekurve do të “arrinte shifra shumë më të larta” në orët e ardhshme.

Qeveria kiliane u ka bërë thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë në zonat e goditura nga zjarret.

Një 61-vjeçar banor nga El Olivar e përshkroi kalvarin si “ferr”.

Duke folur për agjencinë e lajmeve AFP, Rodrigo Pulgar tha se ai u përpoq të ndihmonte fqinjin e tij, por më pas kuptoi se shtëpia e tij kishte filluar të digjej.

“Hiri po binte mbi ne,” shtoi zoti Pulgar.

Ai shpjegoi se shumica e banorëve në El Olivar janë njerëz të moshuar dhe tha se fqinji i tij vdiq sepse nuk mund ta nxirrnin jashtë.

Ministria e Strehimit tha se midis 3,000 dhe 6,000 shtëpi u prekën nga zjarret.

Të shtunën, u vendos një shtetrrethim për banorët  në Viña del Mar, Limache, Quilpué dhe Villa Alemana.

Rreth 1,400 zjarrfikës janë vendosur të dielën në zonat e prekura, tha ministri i Brendshëm në një fjalim drejtuar kombit.

Përkrah shërbimeve të urgjencës janë vendosur edhe efektivë ushtarakë dhe po hetohet për shkakun e zjarreve.

Vitin e kaluar, rajonet e Biobío dhe Ñuble, më në jug nga Valparaíso, pësuan zjarre vdekjeprurëse, të cilat duket se po bëhen më të shpeshta dhe vdekjeprurëse./vizionplus.tv

Read Entire Article