Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe Franca dhe Gjermania kanë dënuar eksportin e raketave iraniane balistike në Rusi dhe e kanë quajtur atë kërcënim të drejtpërdrejtë për Europën.
Tre shtetet europiane kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku thuhet se do të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të anuluar marrëveshjet dypalëshe të shërbimeve ajrore me Iranin.
Kryediplomati amerikan, Antony Blinken nga Londra, në një konferencë të përbashkët me homologun britanik, David Lammy, paralajmëroi se raketat balistike të mara nga Irani mund të përdoren në Ukrainë brenda javëve të ardhshme.
“Raketat iraniane mund të përdoren në objektiva më të afërt, duke i lejuar Rusisë të përdorë më shumë nga arsenali i saj për objektivat që janë më larg vijës së frontit në Ukrainë. Ky zhvillim dhe bashkëpunimi në rritje mes Rusisë dhe Iranit kërcënon sigurinë evropiane dhe tregon se si ndikimi destabilizues i Iranit arrin përtej Lindjes së Mesme.”, tha Blinken.
Situata në Lindjen e mesme ishte gjithashtu në fokus të diskutimeve të dy kryediplomatëve.
“Ne mbetemi tërësisht të përkushtuar për të arritur armëpushim e për të rikthyer stabilitetin në rajon përmes zgjidhjes me dy shtete. Gjithashtu trajtimin e aktivitetit keqdashës të Iranit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, u shpreh sekretari i Britanisë për Punët e Jashtme David Lammy.
Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë Sergei Shoigu iu përgjigj kritikave të perëndimit duke thënë se Moska dhe Terherani janë në përfundim të përgatitjeve për nënshkrimin e një traktati të ri mes vendeve.
Ndërsa Ukraina ka përshëndetur sanksionet shtesë ndaj Iranit por ka përsëritur thirrjen për autorizimin për të përdorur armët e perëndimit në territorin rus./vizionplus.tv