Pasditen e sotme është mbledhur Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Mbledhja u hap me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili zbuloi se më 20 korrik do të mblidhet Kongresi i PS.
Kreu i qeverisë shpjegoi pikat kryesore dhe atë që pritet të ndodhë gjatë këtij Kongresi. Rama deklaroi se më 20 korrik do të paraqitet edhe platforma për përzgjedhjen e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Rama: Kongresi do të duhet të trajtojë edhe një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme në vend duke projektuar punën për programin e mandatit të katërt në funskion të vizionit Shqipëri 2030. Për këtë do të angazhohet një grup i veçantë, por në Kongres do të bëhet një pasqyrë përmbledhëse e gjendjes në raport me Shqipërinë 2030, pra ku jemi dhe ku do të mbërrijmë. E treta, në Kongres do të paraqesim platformën e re të përzgjedhjes së deputetëve dhe deputeteve të PS. Duke u nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të shkuara, ku ne krijuam një platformë dixhitale, “deputeti që duam” dhe mblodhën një numër jo të vogël shprehjesh interesi për tu bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes së deputetëve të PS. Disa nga të rinjtë që u paraqitën në atë platformë u bënë pjesë e listës tonë. Ndërsa për zgjedhjet e ardhshme platforma do të jetë më e gjerë dhe do të parashohë një proces më të artikuluar. Është mirë që ti japim vetës kohën e nevojshme nga kongresi zgjedhor deri kur do të bëhet përzgjedhja përfundimtare e listës së deputetëve të PS. Këto ishin pikat kryesore që unë dëshiroja të ndaja me të gjithë anëtarësinë e Asamblesë Kombëtare.
Në kongres do të votohet për anëtarët e Asamblesë së ardhshme Kombëtare socialiste, nga e cila më pas përmes votës, do të dalë kryesia e re e PS. Mbledhja e Asamblesë po zhvillohet një ditë para kremtimit të 33-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste. /vizionplus.tv