Cili qark është më kursimtari këtë vit? Kryeson Lezha, ja qyteti që mbetet në fund

1 week ago 24

“Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare të “Bankës së Shqipërisë” sa i përket depozitave bankare, për të kuptuar se cilat qytete në vendin tonë kanë arritur të kursejnë më shumë. Depozitat sipas qarqeve i referohen totalit të depozitave, pra, individëve dhe bizneseve, dhe periudha e marrë në shqyrtim është ajo e tremujorit të tretë të vitit aktual.

Lezha është në vend të parë, me depozitat nëpër banka që janë rritur me plot 18.7% gjatë tremujorit të tretë të këtij viti krahasuar me të njejtin tremujor të vitit të kaluar. Në vend të dytë ndjek Vlora, me një rritje prej 9% të depozitave bankare.

Pas Vlorës ndërkohë, në vend të tretë gjejmë Fierin me 6.9% rritje të depozitave. Tirana pason në renditje me një rritje vjetore të ngjashme prej 6.8%. Në vend të fundit ndërkohë gjejmë Shkodrën me 2.7% rritje, si dhe Elbasanin me 1.9% rritje.

Po në vlerë absolute, sa është rritja e depozitave në vlerë sipas qyteteve? Tirana kryeson me një rritje absolute prej 50.4 miliardë lekë. Ky ndryshim thekson se kryeqyteti vazhdon të ketë peshën më të madhe të kursimeve totale në vend. Durrësi vjen në vendin e dytë me një shtesë prej 6.4 miliardë lekë, ndërsa ndjek Vlora më një zgjerim prej 5.3 miliardë lekë, duke u renditur kështu në vendin e tretë.

Po ashtu, Fieri me një shtesë prej 4.8 miliardë lekë dhe Korça me një rritje prej 2.5 miliardë lekë tregojnë përmirësime të qëndrueshme të kursimeve. Në të kundërt, Shkodra dhe Elbasani kanë një rritje modeste, përkatësisht me 1.6 miliardë lekë dhe 1.3 miliardë lekë, që i vendosin në fund të listës për këtë periudhë.

Nga ana tjetër, nëse shohim shifrat e depozitave sipas rrethit dhe monedhës kuptojmë se për të gjitha qarqet e Shqipërisë , vlen e njëjta gjë: Qytetarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë të kursejnë në lekë, duke i lënë pas kursimet në valutë të huaj. Kjo mund të jetë një zgjedhje e stimuluar edhe nga kushtet e favorshme të tregut valuator ku monedha vendase ka qenë më e fortë se ajo europiane.

Read Entire Article