Seanca e parlamentit ka nisur me akuza të forta nga kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi , i cili kishte kërkuar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me emërimin e ish gjeneralit rumun të shërbimit sekret, Florian Coldea si këshilltar i jashtëm. Bardhi tha se ndaj Coldeas ka akuza se ka qenë i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.
“Rama ka frikë të japë llogari për lidhjet e tij me krimin e organizuar e aferat ku vetë përfshihet nga dita e parë që është emëruar kryeministër i Shqipërisë. Kërkuam interpelancë se ka prova se kryeministri ka emëruar si këshilltar të jashtëm një ish-agjent sekret rumun, Florian Coldea. Më ka shkruar se është për veprimtari private. Duam të dimë çfarë e ka këshilluar përse i ka marrë lekët, apo si McGonigal për të sulmuar opozitën. Ju lutem na e thuaj përse e ka këshilluar Coldea Ramën? Ka marrë 7 mijë euro çdo muaj nga taksat e qytetarëve shqiptarë e ti thua është çështje private. Na thuaj pse i ka marrë lekët që përveç ish-agjent i shërbimeve sekrete dyshohet të jetë përfshirë në një linjë të trafikut ndërkombëtar droge Meksinë- Shqipëri – Rumani”, tha Gazment Bardhi.
Në debat e sipër, bardhi u përplas me socialistin Erion Braçe duke shkëmbyer ofendime.
Megjithatë Gazmend Bardhi nuk u ndal, pas debatit ai grisi përgjigjen që Nikolla i kishte dërguar për refuzimin e interpelancës me kryeministrin duke e quajtur atë provokim.
Ndërkohë ishte kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi, sqaroi se kryeministri Rama pasi ka marrë informacionin për zyrtarin rumun e kishte larguar atë nga detyra .
“Hipokrizia në këtë parlament, ka marrë përmasa që lidhen me një fakt historik, që i ka dalë boja. Koha kur Damir Fazlliç ulej në Këshillin e Sigurimit dhe një këshilltar i marr nga mafia, ka kaluar. Personi për të cilin kryetari i grupit kërkoi interpelancë është një ish-zyrtar i lartë i shërbimeve inteligjente, me gradën gjeneral që ka udhëhequr procese që lidhen me luftën kundër korrupsionit. Kryeministri shqiptar e ka marrë në këtë pozicion kur nuk ishte më në atë detyrë. Në momentin që kryeministri e ka marrë vesh këtë gjë, e ka larguar”.
Pas këtij debati, Nikolla ndërpreu seancën, pasi deputetët e PD rrethuan foltoren dhe nuk pranonin të uleshin në vendet e tyre .