Debat për “qeverinë” e prokurorëve, opozita kërkon llogari për drejtuesit e KLP të “dënuar” nga vetingu

5 months ago 20

Përjashtimi nga sistemi gjyqësor i ish- kreut të KLP, Alfred Balla ka vënë në pikëpyetje vendimet e marra nga qeveria e prokurorëve. Kjo deklaratë u bë nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi në Komisionin e Ligjeve, nga ku sot u raportuan rezultatet e vitit që lamë pas nga KLP.

“Sa e ka cenuar kjo vendimmarrjen e KLP dhe sa ka kontribuar kjo në forcimin e besimit të publiku tek KLP? Në gjykimin tim një person që është në kushtet e pazgjidhshmërisë cenon rëndë besimin e publikut dhe integritetit të KLP? Drejtuesi i SPAK është ndarë me 1 votë”, u shpreh deputeti i PD Gazment Bardhi.

Kësaj pyetjeje drejtuesi në detyrë i KLP, Tartar Bazaj iu përgjigj me qëndrim mohues.

“Ka qenë moment emocional, kemi ndarë shqetësime, kemi qenë në një siklet të vërtetë. Edhe unë e kam këtë peshë, ka qenë miku ynë, shoku ynë për 5 vjet. Ndikon zero. Vendimmarrja e këtij anëtari është 1/11. Sot që jam kryetar nuk kam më tej fuqi. Kjo nuk luan shumë peshë”, deklaroi kryetari në detyrë i KLP Tartar Bazaj.

Bardhi replikoi me Bazajn edhe për drejtuesin e prokurorisë së Tiranës, Bledar Valikaj, që sipas deputetit ai i është shmangur vetting-ut.

“Prokurori Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes Ermonela Felaj, është i vetmi prokuror në Republikën e Shqipërisë që nuk i është nënshtruar vetingut në asnjë komponent. Kushtetuta thotë që çdo prokuror që do të rrijë në sistem, duhet t’i nënshtrohet vetingut. Po ashtu ka një shqetësim që në të njëjtin institucion janë emëruar 4 anëtarë të një familje. Këtu kemi të bëjmë me vendimmarrje në konflikt të interesit”, shtoi Bardhi.

“Ka disa seksione. Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës është një djalë me integritet, që Këshilli e ka votuar unanimisht… më shumë kjo është shoë sesa realitet, njëri është OPGJ, të tjerët janë në seksione të ndryshme. për mendimin tim, nuk ka efekte”, theksoi Tartar Bazaj.

Ndërkaq, Bazaj raportoi se 13 prokurorë kanë marrë mbrojtje të posaçme përgjatë vitit 2023 pas sulmeve apo kërcënimeve, mes tyre dhe prokurorë të SPAK./vizionplus.tv

Read Entire Article