Ditën e sotme mbahet seanca e radhës plenare në Parlament, edhe pse ishte parashikuar të mbahej të enjten.
Devijimi duket se është bërë për shkak të ndeshjes së parë të kombëtares shqiptare përballë Italisë në Euro2024. Kështu, përveç tifozëve shqiptarë, ata që do e shijojnë më shumë duket se janë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Mësohet se një pjesë e tyre do të udhëtojnë që të enjten drejt Gjermanisë dhe për këtë arsye Kuvendi ka shtyrë seancën.
Ndërkohë, edhe javën e ardhshme nuk do të ketë seancë plenare, pasi disa deputetë do t’i ndjekin të gjitha ndeshjet e grupit.
Në seancën e sotme së pari, do të diskutohet raporti i veprimtarisë së Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil. Më pas janë dy projektligje.
Fillimisht sipas rendit të ditës do të diskutohet pr/ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”. Sakaq, në fund do të diskutohet pr/ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.