Detaje të reja janë zbuluar nga vetëdorëzimi i Azgan Mërnicës, i cili është autori i vrasjës së policit në Fier, Novruz Cenalia.
Gazetari i Vizion Plus Ilmi Saliaj raporton se policia e kishte lokalizuar vendndodhjen e Mërnicës, ndërsa ishin vënë në dijeni edhe familjarët e këtij të fundit. Blutë kanë negociuar me babain dhe dajën e 23-vjeçarit dhe i lanë kohë që të dorëzohej, në të kundërt do e neutralizonin.
Specialist të krimeve të rënda të drejtorisë së përgjithshme të Policë së Shtetit pas negociatave me famijarë, kanë shkuar dhe e kanë marrë në Dermenas të Fierit.
Mërnica fshihej prej 2 ditësh po në këtë fshat dhe aktualisht ai ndodhet në drejtorinë e policisë së Fierit.
“Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë vijuar pa ndërprerë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.
Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.
Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t’u vetëdorëzuar.
Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica“, njofton policia.
Krimi i rëndë u regjistrua më 13 maj, rreth orës 13:00 në fshatin Baltëz të Fierit.
Mërnica pas një konflikti të momentit për kalimin në rrugë, qëlloi me plumb në kokë efektivin, i cili ndërroi jetë në vendngjarje dhe më pas u arratis me makinë.
E pranishme ishte edhe e ëma e 23-vjeçarit, e cila pa të gjithë ngjarjen. Para uniformave blu ajo dëshmoi se gjithçka ndodhi shumë shpejt, ndërsa pas konfliktit dëgjoi një të shtënë arme.
Efektivi i “Shqiponjave” Novruz Cenalia u përcoll sot për në banesën e fundit, pas homazheve që iu bënë në hollin e teatrit Bylis në Fier./vizionplus.tv