“Dhuna po rrezikon familjen”, ekspertët: Institucionet duhet të jenë vigjilente për çdo rast të denoncuar

2 months ago 39

Dhuna në familje është kthyer në një problem serioz. Vetëm në tre ditët e fundit në Tiranë e Korçë, shtatë gra kanë përfunduar viktima të dhunës.

Të dielën e 1 shtatorit, një grua u dhunua në Maliq nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj, ndërsa sot Mikel Karapanxho, një 42 vjeçar nga fshati Pendavinj i Maliqit u arrestua për dhunë ndaj bashkëshortes dhe babait të tij.

Por rasti më i rëndë ndodhi pak ditë më parë kur Bledar Trëndafili i vuri flakën bashkëshortes së tij Melisa Trëndafili duke i shkaktuar asaj plagë të rënda.

Për mjeken psikiatre Nikolina Bode kjo problematikë duhet kërkuar tek institucionet ligjzbatuese.

“Është fenomen social i rrezikshëm, i shpeshtë, ku familja po degradon në ngjarje të tilla dhune në marrëdhëniet e ngushta familjare, edhe për arsye krejt banale. Vëmendjen do ta tërhiqja në organet ligjore. Aty ku kërkohet ndihmë në komisariat, në polici dhe sa funksionalë janë në urdhërat e mbrojtjes. Kam vënë re edhe në praktikë që pas urdhërit të mbrojtjes vepra penale është kërcënimi më i rëndë, deri në vrasje apo rreziku i jetës, sic ishte dhe rasti me djegie para disa ditësh”, tha Bode.

Edhe avokati, Saimir Vishaj është i të njëjtit mendim. Ai thotë se pavarësisht rreptësisë së ligjit, problem mbetet pikërisht bashkërendimi ndërinstitucional.

“Në momentin që një viktimë, qoftë mashkull apo femër i drejtohet gjykatës për urdhër mbrojtje, menjëherë gjykata duhet të njoftojë dhe specialistin e zonës që është i ministrisë së brendshme, por edhe bashkinë për ta pasur në mbikëqyrje. Po nuk pati koordinim të mirë, dhuna do të vazhdojë me ritme të larta”, tha Vishaj.

Nga ana tjetër Vishaj jep edhe zgjidhjen e problemit.

“Qëllimi kryesor është zgjidhja e regjimit pasuror, kemi tre raste, ato janë të evidentura, por mund të kemi 30 raste në ditë, të cilat nuk kanë mundësi, se i përzën burri nga shtëpia. Burri mund ta ketë shtëpinë e prindërve, e nusja del pa gjë dhe nuk denoncojë. Kësaj frike ne duhet t’i paraprijmë si shoqëri. Nëse ndërtojmë apartament, pallate për ata që ka rënë tërmeti, duhet të ndërtojmë streha për këtë kategori për t’i mbrojtur që të guxojnë të kallëzojnë të gjithë”, theksoi avokati.

Ndër arsyet kryesore për rastet e shtuara të këtij fenomeni janë varësia ekonomike e gruas ndaj burrit e nga ana tjetër edhe kushtet sociale në të cilat janë rritur autorët, por sipas ekspertëve jo gjithmonë, dhuna është shenjë se vuajtjes nga sëmundje mendore. Në tre vitet e fundit numri i të dënuarve për këtë vepër penale arrin në tre mijë. Konkretisht, në 2022 janë dënuar 1038 të pandehur, vitin e kaluar 676, ndërsa në gjashtë mujorin e parë i këtij viti 383./vizionplus.tv

Read Entire Article