Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit, institucionet janë vënë në lëvizje dhe i janë drejtuar presidentit Bajram Begaj me një kërkesë për caktimin e një date për zgjedhje të parakohshme në Himarë.
Ka qenë sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi ai i cili ka dërguar dy kërkesa, një në Presidencë dhe një në KQZ.
Sipas ligjit të dekriminalizimit të miratuar me konsensus në vitin 2015 nëse një deputet apo kryetar bashkie dënohet me vendim të formës së prerë ai e humbet mandatin. Në 25 qershor Alfred Beleri u dënua nga gjykata e Apelit me 2 vite burgim për korrupsion në zgjedhje dhe në këtë situatë komisioneri shtetëror i zgjedhjeve deklaroi se Beleri nuk mund të jetë më kryetar i bashkisë së Himarës
Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka afat 48 orë për të shpallur datën e zgjedhjeve në këtë bashki dhe sipas kodit elektoral zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga moment i shpalljes së përfundimit të mandatit. Në këtë situatë, zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës do të zhvillohen brenda periudhës nga 4 gushti në 18 gusht. Në betejën e afërt për Himarën, opozita sërish do të garojë me një kandidat që vjen nga partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” e drejtuar nga Vangjel Dule./vizionplus.tv