Këtë javë, republikani Donald Trump i rikthehet fushatës elektorale, duke u bërë amerikani i parë i gjetur fajtor që kandidon për Shtëpinë e Bardhë nën siglën e një partie kryesore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, sjell në materialin në vazhdim reagimin e votuesve amerikanë lidhur me vendimin e jurisë së Nju Jorkut dhe perspektivën e kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë.
Të mbledhur jashtë Kullës Trump, mbështetësit e Donald Trump-it vazhduan të brohorasin për kandidatin e tyre, një ditë pasi ish presidenti u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit, në një skemë për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.
Në lagjen Chelsea të qytetit, votuesi Nicholas Warner thotë se vendimi ishte tronditës dhe se vendi ka nevojë për një mandat të dytë të zotit Trump.
“Gjatë katër viteve kur ai drejtoi vendin, gjërat ishin ndryshe, nuk kishim luftëra, as probleme me ekonominë dhe inflacionin. Do të doja që ai të kthehej dhe të drejtonte vendin si një biznesmen”.
Në shtetin Merilend, votuesi Arkady Lapidus thotë se pretendimi i zotit Trump se gjyqi ndaj tij ishte i manipuluar nuk është gjë e mirë për Partinë Republikane apo për vendin.
“Nuk do ta mbështes këtë parti derisa të heqë dorë nga Donald Trump-i dhe të thotë se beson tek zgjedhjet, beson tek gjykatat dhe vendimet e jurisë, sepse ne jemi amerikanë. Derisa të mbështesë plotësisht vlerat amerikane, siç i shoh unë, nuk do të votoj më për republikanët”.
Votuesja Margaret Barnes thotë se edhe pse i gjetur fajtor për krime, zoti Trump është më i besueshëm se Joe Biden.
“Biden-i më duket i rremë, me një sentiment të rremë, që tregon histori sikur të ishte një plak i mirë. Ai është tejet artificial dhe nuk i besoj. Ai është i pasinqertë. Nga ana tjetër, Trump-i është bombastik. Por edhe pse ajo që thotë ai mund të jetë fyese, unë i besoj Trump-it më shumë”.
Në Kolorado, votuesja Luda Golodnykh thotë se vendimi ndaj Trump-it është i merituar dhe shpreson që kjo do ta dëmtojë fushatën e tij.
“Mënyra si ai flet për gratë, si i trajton vendet e tjera, si flet për emigrantët e paligjshëm, duke qenë vetë i martuar me një emigrante. Ai mori atë që meritonte”.
Në Nevada, votuesi Keith Dayton thotë se vendimi nuk ka ndikim tek vota e tij.
“Do të votoj për Donald Trump-in. E gjithë kjo është qesharake. Është për të ardhur turp për vendin tonë. Do ta mirëprisja në shtëpi ose në një kafene për një birrë. Por nuk bëhet fjalë për këtë”.
Në Pensilvani, një shtet që voton në të dy krahët e politikës, vendimi mund t’i nxisë mbështetësit e Trump-it, thotë votuesi Jeffrey Nesbitt.
“Mendoj se do të ishte shumë më e efektshme për popullin amerikan që thjesht ta mundte atë dhe lëvizjen e tij në votime. Mendoj se ka një mundësi të mirë që ky vendim mund ta motivojë elektoratin e tij që të votojë dhe të veprojë më agresivisht në zgjedhjet e ardhshme”.
90% e republikanëve të regjistruar ende e mbështesin Trump-in, sipas një sondazhi nga Reuters/Ipsos. Pjesa e mbetur, 10% tani janë më pak të prirur që të votojnë për Trump-in.
Kjo mund të bëjë një dallim në një zgjedhje të ngushtë ku të dy kandidatët duhet të ruajnë bastionet e tyre dhe të fitojnë votues të pavarur./voa