Dy shqiptarë për President në Maqedoninë e Veriut, analisti: Shanset që të kalojnë në raundin e dytë të pakta

8 months ago 8

Dy shqiptarë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, raundi i parë i të cilave do të mbahet më 24 prill. Por, a është kjo një garë reale apo një test elektoral?

I ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderatorin Erion Zeqiraj, për të diskutuar rreth kësaj teme ishte analisti Albert Musliu.

Çfarë do të thotë për shqiptarët kandidimi i Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit për President?

Musliu: Planet ishin të ndryshme në Maqedoni, katër muajt e fundit kishte një bisedë për mundësinë e formimit të një fronti evropian që do të mbështesnin kandidatin e LSDM-së, Pendarovskin. Ato plane ndryshuan, Aleanca e zotit Taravari e shpalli kandidaturën e vet për kryetar dhe BDI-ja ishte e detyruar të dalë me kandidatin e vet. Kjo për shqiptarët është një matje e fuqive para zgjedhjeve parlamentare. Nga të dy palët paralajmërohen mundësi për hyrjen e një shqiptari në raundin e dytë, që nuk ka ndodhur më parë. Nga numri i madh i kandidatëve të pavarur, të cilët nëse arrijnë të mbledhin nga 10 mijë nënshkrime nuk e dobësojnë pozicionin e kandidatëve rivalë të partive politike.

Duke parë sondazhet, është reale që një kandidat shqiptar të jetë në raundin e dytë dhe duke pasur dy kandidatë shqiptarë të cilët garojnë, është në të mirë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut apo është një krisje?

Musliu: E kanë shpallur kandidaturën, unë nuk dua t’i dekurajoj. Sipas meje shanset janë minimale. Edhe nëse kalon një shqiptar në raundin e dytë do të duhej një befasi e madhe të ndodhë që shumica maqedonase të votojë një kandidat shqiptar. Është e qartë se shqiptarët, vetëm me vota shqiptare nuk mund të përzgjedhin kryetarin. 

Pra ky nuk është një garim real, por është nje test për të matur forcat?

Musliu: Definitivisht. Kjo do të mbarojë me matjen e forcave. Shqiptarët këto 30 vite nuk kanë qenë shumë aktivë dhe nuk kanë qenë shumë të motivuar për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale. Këtë radhë besoj se po, e shoh edhe nga mobilizimi i sotshëm, dita e parë e mbledhjes së nënshkrimeve. Besoj se narrativi i tyre, do të jetë lufta ndërmjet dy blloqeve shqiptare politike. Ky sfidim i kandidatëve shqiptarë i konvenon kandidatit të opozitës maqedonase, e cila deri tani është përqendruar me qëndrime nacionaliste dhe qëndrime që nuk e hapin rrugën e Maqedonisë për vazhdimin e negociatave në Unionin Evropian.  

Si i parashikoni zgjedhjet e majit për partitë shqiptare?

Musliu: Zgjedhjet e majit për partitë shqiptare kanë dy opsione. Nëse ato janë të balancuara, nëse kemi disbalancë te pala maqedonase, do ta ulë pazarin për partitë politike shqiptare dhe do t’i japë një avantazh opozitës maqedonase që t’i kushtëzojë. Uroj të qëndrojnë në qëndrimet që kanë. Nëse ka fitues të qartë te pala shqiptare, pala maqedonase do të jetë e detyruar që parakushtet që ia prezanton partneri politik shqiptar t’i pranojë me qëllim që të formojë qeveri ose mund të shkojmë në cikël tjetër zgjedhor./vizionplus.tv 

Read Entire Article