Dy sjelljet e ndryshme të opozitës dhe mazhorancës ndaj SPAK

1 month ago 19

Nga Ervis Iljazaj

Me shumë gjasa qeveria aktuale është një nga qeveritë më të korruptuara të tranzicionit shqiptar. Ky nuk është një opionin, por një fakt. Si asnjëherë më parë janë akuzuar, hetuar apo arrestuar për korrupsion dhjetra kryetarë bashkie të Partisë Socialiste. Ndoshta korrupsioni po del më shumë në pah kohët e fundit për shkak të aktivitetit të SPAK, por gjithsesi fakti mbetet. Janë dënuar ish ministra, deputetë, pushtetarë, deri edhe ish zv/kryeminisitri. Së fundmi, janë arrestuar disa drejtorë në Bashkinë Tiranë, po të pushtetit. Madje dhe vetë kryetari i saj, një nga njerëzit me më shumë pushtet në Shqipëri, Erion Veliaj, është paraqitur pranë dyerve të SPAK.

E megjithatë, edhe pse duhet të jetë një kosto e madhe për pushtetin, Edi Rama asnjëherë nuk e ka kritikuar, mallkuar apo sulmuar SPAK për hetimet e tij edhe pse i ka marrë bashkëpunëtorë të afërt. Sigurisht nën rrogoz ka bërë të pamundurën për ti ndalur këto hetime ndaj pushtetit të tij. E duke parë që s’ja ka dalë dot, luftën ndaj korrupsionit nga kosto e ka kthyer në avantazh. Duket paradoksale, deri në një skizofreni politike, por Rama në vend që të japë llogari për korrupsionin e kthen atë në një avantazh duke u thënë shqiptarëve se është vullneti i tij që po e lufton atë, dhe është ai që ka bërë Refomën në Drejtësi.

Sigurisht kjo qasje nuk ka asgjë të vërtetë, është thjesht një strategji politike. Duke qenë se nuk e ndalon dot avancimin e hetimeve të SPAK, Rama do ta kthejë luftën ndaj korrupsionit në fushatën e ardhshme në një ‘kalë beteje’. Sepse dihet fare mirë që është nga ata liderë që nuk shikon fatkeqësi në rrethana të caktuara, por i kthen ato në avantazh.

Jo më kot nuk mbron asnjë personazh të pushtetit të tij sa herë që ata bien në rrjetën e SPAK. Dhe për këtë i ka dalë nami se Rama i ‘’shet’’ njerëzit e tij. E vërteta është se nuk i ‘’shet’’, thjesht merr maksimumin edhe në vështirësi siç është korrupsioni në qeverinë e tij.

Nga ana tjetër kemi një sjellje totalisht të kundërt te Partia Demokratike. Sa herë që një pjesëtar i saj hetohet, akuzohet apo edhe arrestohet, PD kritikon SPAK, e konsideron atë si një organizatë kriminale, apo edhe si një vegël të qeverisë. Këtë sjellje ka patur që me hetimin e liderit të saj Sali Berisha. Duke u sjellë në këtë mënyrë, Rithemelimi po humbet një nga kauzat kryesore të opozitës, atë të luftës ndaj korrupsionit.

Këtë kauzë po e humbet pikërisht duke sulmuar SPAK çdo ditë, institucionin që ka për detyrë të hetojë korrupsionin. Dy arsyet kryesore se përse kjo pjesë e opozitës po humbet kauzën e luftës ndaj korrupsionit janë pikërisht hetimi i liderit të saj për korrupsion, dhe sulmi i përditshëm ndaj institucionit që ka për detyrë ta hetojë atë. Çdo ditë bëjnë politika dhe protesta kundër korrupsionit të hetuar ng SPAK, dhe natën e konsiderojnë atë si organizatë kriminale.

Kjo sjellje përveçse po bën që opozita të humbasë një nga kauzat e saj kryesore, nuk është as elektorale. Sepse SPAK aktualisht ka një mbështetetje të madhe në opinionin publik shqiptar, rreth 70-80 përqind. Paradoksalisht PD, edhe luftën ndaj korrupsionit ja ka lënë si avantazh Edi Ramës dhe pushtetit të tij, ndërkohë që kjo qeveri thjesht duhet të japë llogari dhe të mbajë përgjegjësi për korrupsionin e saj. Një kontradiksion politik më shumë unik se sa i rrallë.

Opozita shqiptare, në vend që të sakrifikojë udhëheqësit e saj për të fituar pushtetin, po sakrifikon pushtetin për të mbrojtur udhëheqësit e saj.

liberale.al

Read Entire Article