E veja e Navalny flet para Parlamentit Europian: Putin drejton një bandë kriminale

8 months ago 16

Yulia Navalnaya, e veja e Alexei Navalny, e përshkroi Vladimir Putinin si një vrasës gjakatar që drejton një bandë kriminale. Duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg, Navalnya theksoi se vrasja e bashkëshortit të saj i tregoi opinionit publik se “Putini është i aftë për çdo gjë dhe se nuk mund të negociosh me të”.

Duke iu drejtuar eurodeputetëve dhe rrjedhimisht qytetarëve europianë, zonja Navalnaya theksoi se Putini nuk mund të lëndohet nga sanksionet apo rezolutat apo të bazohet në rregulla morale dhe ndërkombëtare.

“Kjo është përgjigjja e pyetjes që mund të bëjnë qytetarët evropianë. Nëse vërtet dëshironi të mposhtni Putinin, duhet të jeni inovativ. Dhe duhet të ndaloni së qeni të mërzitshëm. Ju nuk mund ta lëndoni Putinin me një rezolutë tjetër ose një grup tjetër sanksionesh që nuk janë të ndryshëm nga të mëparshmit. Nuk mund ta mposhtni duke menduar se është një njeri parimor që ka moral dhe respekton rregullat”, tha ajo.

E veja e Alexei Navalny tha gjithashtu se të gjithë duhet të luftojnë “këtë bandë kriminale”, siç e quajti ajo regjimin e Putinit, duke shtuar se ai duhet të mbajë përgjegjësi për atë që i bëri Rusisë, Ukrainës dhe burrit të saj.

“Putini duhet të mbajë përgjegjësi për atë që i bëri vendit tim. Putini duhet të mbahet përgjegjës për atë që i bëri një vendi fqinj, paqësor. Dhe Putini duhet të mbajë përgjegjësi për gjithçka që i bëri Alexeit”, u shpreh Yulia. /vizionplus.tv

Read Entire Article