Psikologia dhe pedagogia, Ariana Muça, e ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus foli lidhur me ditën e parë të shkollës, emocionet që fëmijët, prindërit apo gjyshërit përjetojnë, si dhe këshilla për këta të fundit.
Fillimisht, ajo theksoi se shkëputja është një moment i vështirë për të dyja palët, veçanërisht ndaj gjyshërve, të cilët “llastojnë” fëmijët me dashurinë pakushte ndaj tyre.
“Pika e dobët që ka një fëmijë është gjyshi, shkëputja nga gjyshi apo gjyshja për të shkuar në shkollë apo kopsht është shumë e vështirë. Gjyshi është ai që luan me ty, që të plotëson dëshirat”, theksoi ajo. “Por, edhe gjyshërit janë ato që nuk shkëputen dot nga mjalti i mjaltit”, shtoi ajo.
Megjithatë, vendimi për t’i çuar fëmijët në çdo institucion arsimor është gjithmonë i duhuri, pasi ata duhet të krijojnë botën dhe pavarësinë e tyre.
“Një fëmijë zhvillohet, i duhet një mjedis për t’u zhvilluar, jo se në shtëpi mungojnë kushtet, por përveç dashurisë së gjyshit e gjyshes duhen edhe marrëdhëniet e ndryshme që duhet të zhvillojë fëmijë, marrëdhëniet sociale, pra forma të ndryshme zhvillimi dhe janë pikërisht këto marrëdhënie që ndërtohet në institucionet arsimore”, theksoi psikologia duke nënvizuar se edhe gjyshërit duhet të kuptojnë nevojën për pavarësinë e fëmijëve.
Në të kundërt, sipas psikologes, përshtatja në institucione arsimore, mbetet mjaft i vështirë për fëmijë që kanë qëndruar vetëm në mjedisin familjar.
“Ne kemi plot raste të tilla, sidomos fëmijët që nuk i kanë frekuentuar më herët institucionet arsimore, nis që nga çerdhja, sepse ndodh ajo shkëputja e parë me familjarët, ambientimi i fëmijës me një ambient tjetër, sepse ai do siguri, ndaj kemi plot raste ku kemi fëmijë që janë rritur vetëm në ambientet familjare dhe shkuarja në institucion arsimor është traumë për fëmijën”, tha ajo.
Po ashtu ajo theksoi se prindërit gabojnë teksa “përdorin” shkollën për të ndëshkuar fëmijët me fraza si: “Sapo të shkosh në shkollë do e shohësh” apo “do i them zyshës të të bërtasë.”
Sipas psikologes të tilla fraza ndikojnë në perceptimin e fëmijës mbi shkollën apo figurën e mësueses, duke nxitur ndjenjën e frikës tek ta.
Nga ana tjetër, lidhur me emocionet që prindërit e gjyshërit përjetojnë kur fëmijët nisin këtë rrugëtim të rëndësishëm, janë tejet normale, pasi shoqërohen edhe nga frika e së panjohurës. Megjithatë, ajo theksoi se prindërit duhet të komunikojnë me shumë kujdes, duke i kërkuar fëmijëve t’iu përshkruajnë ditën e tyre në këto institucione për t’i ndihmuar ata./vizionplus.tv