Pas disa muajsh hetime, sektori për Hetimin e Narkotikëve ka finalizuar operacionin policor të koduar “Green”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 4 persona, konkretisht shtetasi Gazmend Hoxha, 50 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”; Aleksander Kili, 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, Saimir Gerbaj, 54 vjeç, dhe Orgest Beqo, 43 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Kasem Shima”, një automjet tip “Benz”, dhe në bagazh gjetën dhe sekuestruan 2 çanta të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë 19.30 kg.
50-vjeçari Gazmend Hoxha, gjatë ndërhyrjes, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk është bindur ndaj urdhrave të tyre.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Aleksander Kili, shërbimet e Policisë, gjetën një armë zjarri pushkë, 200 fara të dyshuara narkotike kanabisi.
Lënda narkotike së bashku me sendet e tjera të jashtëligjshme, 2 automjete e 7 aparate celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale./vizionplus.tv