Prokuroria e Korçës ka kërkuar pezullimin e 3 zyrtarëve të lartë dhe një magazinieri në bashkinë e Devollit.
Sipas prokurorisë Gentian Keco me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Utilitare, Komunitare dhe Administrative, Altin Cane me detyrë Përgjegjës në Sektorin e Shërbimeve Publike, Kristi Meslani me detyrë Përgjegjës në Sektorin e Transportit në Agjencinë e Shërbimeve Publike si dhe Eledi Nasto me detyrë magazinier kane konsumuar veprën penale të “shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, të cilët në bashkepunim me njeri tjetrin kanë realizuar procedura fiktive për blerjen e mallrave të ndërtimit për bashkinë Devoll dhe nuk kanë kryer asnjë punim, me qëllim përfitimin financiar nga ana e tyre.
Në kuadër të hetimeve të kallëzimit penal nr.577 të vitit 2023 rezultoi se personat në fjalë kanë kryer procedurën e prokurimit me objekt blerje mallra materiale ndërtimi për nevojat e Bashkisë. Por pasi është shpallur fituesi ndaj të kallëzuarve është ngritur akuza se kanë kryer në mënyrë fiktive si procedurën e marrjes në dorëzim dhe magazinimit të mallrave dhe pajisjeve, ashtu edhe daljen e tyre nga magazinimi dhe përdorimi për punime të ndryshme nga punonjësit e bashkisë. Kallëzuesi pretendon se nuk është blerë asnjë mall.
Gjatë hetimeve të prokurorisë, nga administrimi i pamjeve filmike për periudhën e hetimit nuk shihen hyrje-dalje ngarkesa me materiale ndërtimi. Në vijim të konkluzioneve të nxjerra nga ekspertët, në rrugët rurale të fshatit nuk rezulton të ketë shtresa të reja çakulli apo të ndonjë ndërtimi.
Në bazë të kërkesës së Prokurorisë, gjykata ka vendosur pezullimin nga puna të 4 zyrtarëve të kësaj bashkie. Nga ana tjetër organi i akuzës ka filiuar hetimin për shpërdorimin e detyrës dhe Falsfikimin e dokumentave