Festë kuqezi në Pragë, Shqipëria nis me fitore Ligën e Kombeve, mposht për herë të parë Ukrainën

2 months ago 40

Me copëza të vyera si Broja e Gjimshiti që mungojnë, por me shumë grintë dhe agresivitet Shqipëria e ka nisur në mënyrë perfekte rrugëtimin në Ligën e Kombeve, pas performancës kualitative në Euro 2024.

Djemtë e teknikut Silvinjo dhuruan një performancë emocionuese përballë Ukrainës, në ndeshjen e vlefshme për Ligën B, luajtur në “Epet Arena” të Pragës.

Në pjesën e parë kuqezinjtë patën të paktën 3 raste shënimi me Laçin, Asllanin dhe Manajn, por pa mundur të finalizonin.

Ukraina ishte thuajse e përgjumur, por u zgjua me nisjen e pjesës së dytë ku gjeti golin e parë të kësaj sfide me Konoplya. Mbrojtësi i djathtë i ukrainasve gjeti të papërgatitur mbrojtjen duke shënuar në minutën e ’49 të sfidës.

Golit të tij Shqipëria iu përgjigj shumë shpejt. Kuqezinjtë nisën të sulmonin dhe në vetëm 5 minuta ia dolën të barazonin sfidën me Ardian Ismajlin, i cili në minutën e ’55 dërgoi në rrjet një top të ardhur nga goditja e këndit.

Pas golit të barazimit kuqezinjtë vendosën diktatin në lojë dhe në minutën e ’66 arritën të gjejnë golin që përmbysi sfidën. Pas një qarkullimi perfekt të topit nga e majta, Rei Manaj u fut bukur në zonë dhe më pas asistoi mrekullisht brenda zonës Asanin që erdhi furishëm nga krahu i djathtë i sulmit dhe dërgoi topin në rrjetë.

Shqipëria fiton kështu me rezultatin 2-1 sfidën e parë në grup dhe pret të martën në mbrëmje Gjeorgjinë në “Air Albania”, me kuqezinjtë që rikthehen të luajnë para publikut të tyre në Tiranë.

/a.r

Read Entire Article