Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua gara e vrapimit “Run for Autism” ku morën pjesë fëmijë e të rritur me qëllim ndërgjegjësimin dhe gjithëpërfshirjen.
“Secili prej nesh ka sfidat e tij, e ca mund të kenë më shumë sfida sesa të tjerët. Ndaj, ëndrra ime është për një qytet ku njerëzit besojnë në Zotin që duan, të duan personin që duan, dhe sfidat t’i zgjidhin në mënyrën sesi ata e shikojnë më të arsyeshme, sepse vetëm një qytet që i pranon të gjithë, pa bërë diferenca, është një qytet i mirë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj rikujtoi se javët e kulturës në kryeqytet kanë ardhur me një sërë aktivitetesh për të gjithë qytetarët.
“Falënderoj kolegët e “Javës së Kulturës Italiane” sepse ka qenë leksion i madh bashkëpunimi për të vrapuar për autizmin, për të na treguar se kultura nuk është vetëm këngë e valle, kultura fillimisht është mentalitet i ri, mentalitet i hapur, mentalitet gjithëpërfshirës. Në këtë javë të kulturës italiane do të ketë filma, kemi koncertin e Diodato-s, do të ketë pritje, aktivitete nga më të ndryshmet”, deklaroi kryebashkiaku.
Gara “Vrapo për autizmin” organizohet për të dytin vit radhazi nga Ambasada e Italisë në Tiranë, në kuadër të “Javës së Kulturës Italiane”./vizionplus.tv