Gjyqi për tragjedinë e Gërdecit shkaktoi përplasje të forta mes palëve në proces. Avokati i ish- ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, Ardian Visha, debatoi me tone të larta me avokatin, Dorian Matlija, që përfaqëson familjet e Gërdecit, por edhe me gjyqtaren Irena Gjoka, derisa kjo e fundit urdhëroi përjashtimin e tij nga seanca.
Sipas saj ai theu etikën përmes pyetjeve të pesë ekspertëve, që do të përcaktonin dëmin financiar që shkaktoi shpërthimi i mes- marsit të 2008. Ekspertët nga ana tjetër kërkuan që tu jepej pak kohë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve. Në këto kushte ata do duhet t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve deri nesër, e ta depozitojnë dokumentin në Gjykatën e Posaçme.
Vetë ish-ministri e konsideron këtë proces të njëanshëm deri në absurditet.
“Neve nuk na lejohet të bëjmë pyetje, të njëjtat pyetje që ka bërë dhe prokuroria. Ky është një proces inkuizitor, që synon të marrë gjërat e mirëqena pa bërë proces gjyqësor. E gjithë kjo është një situatë absurde. Prokuroria me këtë akt ekspertimi që janë dënuar 24 nga 29 persona duhet të thotë ku janë përgjegjësitë e ministrit. Me këtë akt ekspertimi ka marrëdhënie që nuk lidhjen me ministrin”, deklaroi Mediu.
“80 përqind e pyetjeve tona gjykata ndërhynte për t’i ndaluar, sugjeronte ekspertët të mos përgjigjen, pa ndonjë shpjegim pse këto pyetje ishin të pamundura për tu përgjigjur nga ekspertët. Ndërkohë nga ana tjetër sa herë ndërhynte prokuroria, gjykata dëgjonte, sa herë kërkonte diçka prokuroria, gjykata vepronte. Ky standard i dyfishtë, që nuk është vetëm i kësaj seance, është përgjithësisht i këtij procesi, është bërë shkak i kësaj përplasjeje verbale, pasi jo vetëm të fyen, por zhbën drejtësi-bërjen në proces”, theksoi avokati Ardian Visha.
I pandehuri, Fatmir Mediu nuk i ndahet kërkesës së tij për një ekspertizë të re, por diçka e tillë është hedhur poshtë për të disatën herë nga gjykata. Ish- ministri është vënë nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre sipas dy kodeve, penal dhe ushtarak.
Por, ai i ka hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se fuqia e tij e veprimtaria e tij mbi Gërdecin ka qenë vetëm përmes akteve politike. Seanca e radhës do të zhvillohet pas një jave, në datën 17 korrik, ku pritet të lexohen edhe përgjigjet e pesë ekspertëve për dëmin financiar në Gërdec, që do të dorëzohen nesër te Sekretaria e GJKKO.