Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se Izraeli nuk do të ndalet derisa të kapë personat që janë përgjegjës për vdekjen e gjashtë pengjeve, trupat e të cilëve u gjetën në Rripin e Gazës.
Në deklaratën e tij, Netanyahu tha se Izraeli është i përkushtuar për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbetura dhe për të garantuar sigurinë e Izraelit.
Lexo edhe :
Related Posts
“Kushdo që vret pengjet nuk dëshiron një marrëveshje,” tha Netanyahu.
Izraeli deklaroi se forcat e tij kanë gjetur trupat e gjashtë pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës. Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se trupat u gjetën të shtunën në një tunel nëntokësor në zonën Rafah.
IDF i identifikoi pengjet si Carmel Gat, Eden Yerushalmi, Hersh Goldberg-Polin, Alexander Lobanov, Almog Sarusi dhe Master Sgt Ori Danino. Zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari tha se ata ishin “vrarë brutalisht nga terroristët e Hamasit pak para se forcat izraelite të arrinin tek ata”.
Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të sulmit të paprecedentë në jug të Izraelit më 7 tetor, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Më shumë se 40,530 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit.
SHBA, Egjipti dhe Katari po përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje armëpushimi që do të lironte 97 pengjet e Hamasit që ende mbahen, duke përfshirë të paktën 27 të supozuar të vdekur, në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite. /vizionplus.tv