Futbolli gjerman humbi një tjetër pjesë të historisë së vetë të lavdishme.
U nda nga jeta në Mynih në moshën 63-vjeçare Andres Brehme, një prej emrave emblemë të kombëtares dhe jo vetëm.
Natën mes të hënës dhe të martës ai ishte dërguar me urgjence në spital për shkak të një ataku kardiak, mirëpo pavarësisht përpjekjes, mjekët nuk e mbajtën dot në jetë.
Lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Brehme u dha nga partnerja e tij Suzan Shafer, me të cilën ai bashkëjetonte pas ndarjes nga martesa e parë me ish-gruan e tij Pilar, me të cilën pati edhe dy djem.
Andi Brehme pati një karriere të shkëlqyer si lojtar, ku spikati më së shumti tek Bajern i Mynihut dhe Interi, klube me të cilët fitoi shumë trofe e shënoi gola pavarësisht se ishte mbrojtës i majtë.
Megjithatë shenjën më të madhe Brehme e la në botërorin e 1990 luajtur në Itali. Në finale e madhe kundër Argjentinës ai shënoi golin e vetëm të takimit me penallti, duke i dhënë kupën e botës Gjermanisë.
Ai është i dyti emër i madh i futbollit gjerman që ndahet nga jeta kohët e fundit, pasi në 7 janar të këtij viti vdiq edhe Franc Bekenbauer./vizionplus.tv