Gjykata e Lartë këtë të martë shqyrton rekursin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të Tiranës, e cila kërkon dënim me burg përjetë për Dritan Dajtin, i akuzuar për një sërë veprash penale.
Tre gjyqtarët të cilët do shqyrtonin rekursin e Dajtit ishin Ilir Panda, Sandër Simoni relator dhe Medi Bici.
Për këtë të fundit, Dritan Dajti kërkoi nga Gjykata e Lartë përjashtimin e tij nga trupa e gjykimit për shkak të papajtueshmërisë me funksionin e gjyqtarit në këtë procedim, raporton gazetari Esido Barkaj.
Po ashtu sipas tij, ekzistojnë shkaqe të rëndësishme të njëanshmërisë se tij dhe sepse gjatë ushtrimit të funksioneve ka shfaqur mendimin e tij mbi faktet dhe rrethanat, objekt të këtij procedimi.
“Perjashtimi i gjyqtarit Medi Bici, nga gjykimi i ceshtjes me nr. 52105-00378-00-2019, per shkak te papajtueshmerise me funksionin e gjyqtarit ne kete procedim. Perjashtimi i gjyqtarit Medi Bici, nga gjykimi i ceshtjes me nr. 52105-00378-00-2019, pasi ekzistojne shkaqe te rendesishme njeanshmerise se tij. Perjashtimi i gjyqtarit Medi Bici, nga gjykimi i ceshtjes me nr. 52105-00378-00-2019, pasi gjate ushtrimit te funksioneve ka shfaqur mendimin e tij mbi faktet dhe rrethanat objekt te ketij procedimi.”,
Kërkesa e Dajtit u pranua nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarja Arbena Ahmeti arsyetoi se Medi Bici nuk rezulton të ketë kryer veprime procedurale më parë. Trupa gjykuese ndërkohë është në proces plotësimi.
Dritan Dajti u dënua nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.
Por, në shkurt të vitit 2019 Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke caktuar ndaj këtij të fundit 25 vite burg.
Ndërkohë, vendimi i dhënë nga pesë gjyqtaret e Apelit, Fuat Vjerdha kryetar, Lindita Hoxha, Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skender Damini është ankimuar nga Prokuroria e Apelit e Krimeve të Rënda, e cila kërkon dënimin e Dajtit me burgim të përjetshëm.
Çështja shqyrtohet këtë të martë në orën 11.40 në dhomë këshillimi./vizionplus.tv/