Gjykata e Apelit i riktheu vulën dhe logon e Partisë Demokratike Sali Berishës, të cilat deri mëngjesin e sotëm i mbante Lulzim Basha. Ergys Mërtiri në një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me gazetarin Aleksandër Furxhi thotë se pas këtij vendimi, Basha duhet të dalë kundër trinomit Berisha-Meta-Rama. Sipas Mërtirit, nëse Basha nuk e ankimon vendimin dhe logoja mbetet te Berisha nuk do të prodhojë asgjë të re, pasi opozita e izoluar ndërkombëtarisht nuk është e aftë që të mundë pushtetin.
-Vendimi i Gjykatës së Apelit ka shkaktuar hidhërim për disa dhe për disa gëzim. Përtej ndjesive dhe pasioneve politike, çfarë shënon me syrin e vëzhguesit politik vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit?
Mërtiri: E shoh këtë vendim si pjesë të dualizmit ku ka hyrë e gjithë politika shqiptare gjatë këtyre tre viteve që nga shpallja “non grata” e zotit Berisha. Politika nuk është më ajo që ka qenë, ka hyrë në një epokë të re. Epoka është në fillimet e veta dhe e ka ndarë politikën shqiptare në dy pjesë, njëra është pro SPAK, Amerikës dhe të tjerëve që janë jashtë sistemit dhe pjesa tjetër që është në mbrojtje të sistemit. Edhe Gjykata është e ndarë në këto dy pjesë, një pjesë e Gjykatës jep vendime kundër sistemit 33-vjeçar, kurse një pjesë tjetër jep vendime pro sistemit 33-vjeçar. Për pasojë dhe vula ka kaluar nga njëri kah në tjetrin, në varësi të influencave ose presioneve politike me të cilat përballet Gjykata në procesin e radhës të kësaj odiseje. Nëse Basha do ta apelojë këtë do të kemi një vendim tjetër, i cili nuk do të sjellë asgjë të mirë për politikën shqiptare, vetëm zvarritje të një odiseje e cila e ka lënë vendin për tre vite pa opozitë. Me kalimin e vulës në anën e zotit Berisha thjesht zgjaten grahmat e fundit të një politike e cila është me një këmbë në varr. Është një opozitë e izoluar dhe e paaftë që të përmbysë pushtetin dhe aq më tepër një opozitë që as nuk e ka në fokus përmbysjen e Edi Ramës, ka objektiv mbijetesën e vetvetes.
-Pas vendimit të Gjykatës ka dy verisone; ose Basha do krijojë parti të re ose do detyrohet të shkrihet te Berisha. Ti çfarë beson se do të ndodhë?
Mërtiri: Unë nuk e shoh shumë të rëndësishme se çfarë bën Basha. E shoh të rëndësishme se çfarë bën SPAK dhe amerikanët sepse ata po e prodhojnë gjithë këtë tension që është krijuar te sistemi politik shqiptar. Basha qartazi duht të dalë kundër këtij sistemi politik që do të thotë duhet të jetë kundër Berishës, Ramës, Metës. Çdo qasje të opozitës që deri tani është quajtur zyrtare me pjesën tjetër unë e shoh nënshtrim të kësaj ndaj sistemit politik dhe e shoh si kontribut për të mbajtur atë që ka qenë në këto 33 vite. E vetmja peshë që mund të ketë sot Basha është që të dalë kundër sistemit politik ekzistues, të jetë kundër trinomit Berisha-Meta-Rama./vizionplus.tv