Policia e Tiranës ka goditur një grup prej 28 personash që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave.
Gjatë operacionit të koduar “Tempulli 4”, u arrestuan 24 persona, ndërsa 4 të tjerë janë në kërkim.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë shtypi ku bëri të ditura rezultatet e këtij aksioni, tha se grupi kriminal shpërndante kokainë, marijuanë dhe drogëra sintetike afër shkollave, në lokale nate dhe zona të ndryshme të Tiranës.
Hetimi ka zgjatur disa muaj dhe u ndoq me metoda speciale. Gjatë operacionit, u sekuestruan 1.8 kg kokainë, 18 kg marijuanë, 350 doza lëndë narkotike të drogërave sintetike si ekstazi, LSD etj.
Policia sqaroi se hetimi vijon edhe për përfshirjen e personave të tjerë, si dhe të furnizuesve.
/a.r