Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë vendosur të mbështesin partinë që përfaqëson interesat e komunitetit çam dhe të miratojnë në Kuvend një deklaratë për forcimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe heqjen e ligjit të luftës.
Në konferencën e kryetarëve si rrallë ndonjëherë me unanimitet përfaqësuesit e të gjitha grupimeve kanë vendosur që kjo deklaratë të miratohet në datë 18 korrik në parlament.
“Diskutimi në Kuvend nuk i bën dëm askujt, por ngre peshën e përgjegjësisë së që qeverisë shqiptare, por edhe asaj greke në një nivel të ri për t’iu përgjigjur vullnetit të sovranit, popullit tonë që përfaqësohet përmes deputetëve për të abroguar këtë ligj që nuk reflekton as marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, as marrëdhëniet miqësore mes dy qeverive dhe as marrëdhëniet miqësore mes dy popujve tanë”, tha ministrja e Shtetit pwr Marrwdhwniet me Parlamentin Elisa Spiropali.
Edhe pse deklarata vjen nga partia që mbron interesat e komunitetit çam, çështja çame nuk përmendet në këtë dokument, i cili me një gjuhë të kujdesshme vlerëson nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë.
Në këtë deklaratë bëhet thirrje që të krijohet një grup pune mes dy parlamenteve që të punojnë për heqjen e ligjit të luftës që Greqia vendosi ndaj Shqipërisë në vitin 1940. Gjithashtu nëpërmjet kësaj deklarate i kërkohet qeverisë dhe ministrisë së Jashtme në mënyrë specifike që të bëjnë çdo përpjekje për heqjen e ligjit të luftës nga ana e Greqisë.
Kjo lëvizje e parlamentit të Shqipërisë vjen në një situate kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të tensionuara për shkak të çështjes “Beleri”. Prej moment të arrestimit të Alfred Belerit, i cili është pjesë e minoritetit grek, nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë mes Athinës dhe Tiranës zyrtare dhe duket e vështirë që në këtë situatë të gjejnë zgjidhje probleme si heqja e ligjit të luftës, i cili është në fuqi prej 84 vitesh./vizionplus.tv