Dy vjet e shtatë muaj pas fitores së tij të fundit, Lewis Hamilton rikthehet të fitojë një garë të Formula 1 duke triumfuar në çmimin e madh të Anglisë.
Në një garë plot kthesa dhe ku pilotimi u ndikua tej mase nga kushtet e motit Sir Lewis dhuroi spektakël parakalimesh, duke i rezistuar edhe rikthimit të Max Verstappen, i cili ia rrezikoi fitoren kur mbeteshin 4 xhiro nga fundi.
Kampioni në fuqi ia doli që të rrëmbente pozicionin e dytë nga Lando Norris, i cili përfundoi përpara shokut të skuadrës Oscar Piastri.
I katërti Carlos Sainz me Ferrarin ndërsa shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc bëri sërish një paraqitje për tu harruar duke mos hyrë në zonën e pikëve.
I pafat edhe George Russell, i cili kryesoi garën për disa xhiro por problemet mekanike e detyruan që të tërhiqej në mesin e saj.