Kasaforta e prerë me gur ftesibël në pjesën e pasme të saj që ishte në dhomën e Esmerald Ballës, ishin indiciet e para të hetuesve se zhdukja e babait të tij Enver Balla nuk ishte rastësore.
Gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj mëson se që prej momenteve të para që djali bëri denoncim në polici, hetuesit i morën me rezerva deklarimet e tij.
Në deklarimet e para për kasafortën, hetuesit gjetën detaje kontradiktore në lidhje me çelësin, që herë thoshte e mbante babai e herë ai vetë. Pasi kishte sajuar historinë se i ati kishte ikur me nje grua, e cila i kishte shkuar në Instagram djalit tjetër të familjes, policia vendosi t’i sekuestrojë celularin, tek i cili u ndërhy me ekspertë të IT pasi i kishte fshirë, dhe u zbuluan prova që zbërthyen ngjarjen.
Përveç fotove të vajzave të gjetura në celular u gjet edhe një screenshot bisede, një grua që i shkruante se kishte ikur me babain e tij. Ishte i njëjti profil që i kishte shkruar djalit tjetër të familjes Balla.
Por nga hetimi u zbulua se profili ishte hapur nga autorii dyshuar Esmerald Balla.
I riu u mbajt për disa kohë në përgjim por ka qenë i kujdesshëm në komunikim. Hetuesit kanë dyshime të forta se ai nuk veproi vetëm dhe të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë jashtë familjes. Këta të fundit nuk dinin asgjë mbi fatin e babait, të mashtruar nga Esmeraldi me histori të sajuara të largimit me një grua./vizionplus.tv